Turizmi nxit sipërmarrjet që promovojnë identitetin shqiptar

Rritja e turizmit dhe interesi në rritje i vizitorëve të huaj për kulturën shqiptare po i nxit gjithnjë e më shumë bizneset të krijojnë iniciativa që lidhen me identitetin dhe produktet vendase.Një shembull i fundit është hapja e hapësirës “Buy Albania” në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, një nismë që synon të prezantojë traditën, artizanatin dhe produktet e prodhuara në Shqipëri për turistët që hyjnë ose largohen nga vendi.Ambientit i “Buy Albania” është organizuar si një hapësirë ekspozuese me elementë të thjeshtë dhe natyralë, ku materiali i drurit dhe metaleve të punuara shoqërohet me ndriçim të butë dhe ngjyra neutrale.Produktet janë vendosur në mënyrë të strukturuar, duke përfshirë artikuj artizanalë dhe ushqimore nga rajone të ndryshme të vendit: argjendaritë e Gjirokastrës, tekstilet e qëndisura të Shkodrës, punimet në dru të veriut dhe produktet bio të jugut, si vaj ulliri, mjaltë, reçelë, verë dhe raki tradicionale.Në disa pjesë të hapësirës janë vendosur motive të frymëzuara nga qilimat shqiptarë dhe elemente dekorative që referojnë trashëgiminë kulturore, duke e bërë ambientin një ndërthurje mes traditës dhe një paraqitjeje bashkëkohore.Çdo element përfaqëson autenticitetin shqiptar në formën më origjinale. Qëllimi është që çdo udhëtar, përmes këtyre elementeve, të përjetojë një “minihistori” të Shqipërisë, që përforcon përvojën dhe kujtimet e tij gjatë qëndrimit në vend.Projekti vjen në një periudhë kur turizmi po bëhet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar kërkesë të re për produkte tradicionale dhe artizanale. Rritja e interesit të vizitorëve të huaj për gatimet, artin dhe mënyrën e jetesës shqiptare po krijon hapësira të reja për sipërmarrje që lidhen me trashëgiminë dhe prodhimin vendas.Sipas ekspertëve të sektorit, nisma të tilla ndihmojnë në promovimin e markës “Made in Albania” dhe në forcimin e lidhjes midis turizmit dhe zhvillimit lokal, duke i dhënë vlerë punës së artizanëve dhe prodhuesve vendas.Në këtë mënyrë, kthimi i Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik po sjell edhe ringjalljen e interesit për traditën dhe për produktet që përfaqësojnë më mirë identitetin kulturor të vendit.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.