“Tetori Fishtjan”me ekspozitën me veprat më të rëndësishme të Fishtës, në aktivitete dhe konkursi mbarëkombëtar letrar

Nga Julia Vrapi
Një përzgjedhje e veprave të At Gjergj Fishtës është pjesë e një ekspozite, por këtë muaj do të zhvillohet dhe konkursi mbarëkombëtar letrar që mban emrin e tij. “Tetori Fishtjan” sjell aktivitete të ndryshme, ku pjesë është dhe ekspozita “Fjala që ngriti Kombin” veprat dhe trashëgimia e At Gjergj Fishtës. Në kuadër të përkujtimit të trashëgimisë së figurave të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare, si dhe në nderim të “Muajit Fishtjan”, biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë çeli ekspozitën kushtuar At Gjergj Fishtës.
Bashkia e Lezhës shprehet se është një përzgjedhje e veprave më të rëndësishme të tij. “Kjo ekspozitë sjell për publikun një përzgjedhje të veçantë të veprave më të rëndësishme të Fishtës, që gjenden në fondin e bibliotekës sonë, duke hedhur dritë mbi trashëgiminë e tij të vyer letrare dhe kulturore”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Lezhës ndër të tjera. Ekspozita është e hapur në hollin e bibliotekës publike “Gjergj Fishta”. Muaji tetor në Lezhë është pagëzuar këtë vit si “Tetori Fishtjan”, në nder të 154-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, ku Bashkia Lezhë organizon disa aktivitete kulturore. Gjergj Fishta është një ndër përfaqësuesit më të spikatur të kulturës dhe letërsisë kombëtare shqiptare.
Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Në vitin 1913 themelon revistën “Hylli i dritës” dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937).  Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Konkursi mbarëkombëtar letrar
Në Lezhë, për të disatin vit radhazi organizohet edhe konkursi mbarëkombëtar letrar “At Gjergj Fishta”, i cili përfshin autorë nga e gjithë Shqipëria dhe përtej saj. Këto ditë u bë me dije se është mbyllur dhe afati për dorëzimin e veprave për konkursin “At Gjergj Fishta” edicioni i vitit 2025. Juria e konkursit përbëhet nga Rudolf Marku (shkrimtar, poet, përkthyes), Erenestina Gjergji Halili (poete, studiuese), Bajram Kosumi (shkrimtar, studiues). Më herët në shtator Bashkia Lezhë shpalli këtë konkurs, ku bëhej me dije se në edicionin e vitit 2025 gjinitë (zhanret) letrare në të cilat do të konkurrojnë veprat dhe për rrjedhojë do të shpallen fituesit janë: Poezia, proza, përkthimet letrare. Sipas njoftimit veprat letrare duhet të ishin botime të harkut kalendarik tetor 2024 – shtator 2025 , të botuar dhe jo dorëshkrime. Secila prej këtyre gjinive do të ketë fituesin përkatës. Ndër të tjera në njoftim bëhej me dije se në përputhje me emrin e “At Gjergj Fishtës”, do të kenë përparësi veprat me trajtime tematike dhe formale që lidhen ngushtë me intonacionet e një letërsie klasike dhe realiste, si dhe ato të një letërsie moderniste apo formaliste. Më datë 23 tetor pritet që të ndahen dhe çmimet e këtij konkursi letrar.