Klodian Braho, Adnan Xholi, Elvin Gokaj dhe Doloreza Musabelliu janë katër prokurorët të cilët zyrtarisht do të kandidojnë në garën për kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në vijim të procedurës për përzgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), mësohet se në përfundim të afatit zyrtar dhe kohës së pritjes për depozitimin e dokumenteve nëpërmjet shërbimit postar, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë depozituar shprehjen e interesit për këtë pozicion prokurorët: -Klodian Braho – Elvin Gokaj -Doloreza Musabelliu-Adnan Xholi.
Siç dhe raportuam më herët i pari që dorëzoi zyrtarisht platformën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka qenë prokurori Klodian Braho, i cili aktualisht është shef i seksionit kundër korrupsionit dhe “shpërdorimit të detyrës” në SPAK. Ai dorëzoi dokumentacionin që prej pasdites së 3 tetorit, duke hapur formalisht garën për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion në vend. Ndërkohë më pas i dorëzuan edhe tre kolegët e tij, Adnand Xholi, Elvin Gokaj, prokuror në seksionin kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu, prokurore në seksionin kundër krimit të organizuar. Kjo e fundit përfaqëson një risi në historinë e zgjedhjeve për drejtimin e SPAK, pasi është hera e parë që në garë për këtë post merr pjesë një prokurore femër.
Dy prokurorët më favoritë për postin
Sipas informacioneve të gazetës SOT, dy emrat që shihen si më favoritë për të zëvendësuar Dumanin janë Adnan Xholi dhe Klodian Braho. Të dy janë ndër figurat më të spikatura brenda strukturës dhe gëzojnë mbështetje të gjerë mes kolegëve të SPAK. Adnan Xholi, është ndër prokurorët më me përvojë në strukturë. Ai ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë pas reformës dhe njihet për qëndrimet e tij të qarta dhe për integritetin profesional. Në garën e vitit 2022, Xholi “i dha fitoren” Altin Dumanit, pasi i hoqi një votë prokurorit Edvin Kondili (të preferuarin e qeverisë), gjë që ndryshoi balancën dhe bëri që Dumani të fitonte drejtimin e SPAK-ut. Këtë herë, shumëkush në strukturë e sheh Xholin si kandidatin më të mundshëm për ta marrë vetë drejtimin e institucionit, pasi gëzon besim të lartë nga amerikanët dhe përvojë në menaxhimin e çështjeve të ndjeshme.
Një element i rëndësishëm në këtë garë është edhe fakti se prokurori Vladimir Mara, i cili shihej si një nga kandidatët e preferuar të partnerëve amerikanë, nuk pranoi të kandidojë. Ai mësohet t’u ketë komunikuar përfaqësuesve të SHBA-së se “i takon Xholit” të kandidojë këtë herë, duke i hapur rrugën zv/drejtuesit aktual dhe duke konsoliduar mbështetjen për të brenda trupës së prokurorëve të SPAK. Nga ana tjetër, Klodian Braho shihet si kandidati që përfaqëson një brez të drejtësisë së re, me një profil të fortë profesional dhe rezultate të prekshme në hetimet kundër korrupsionit. Ai është ndër prokurorët më aktivë në çështjet që kanë prekur funksionarë të lartë publikë dhe konsiderohet si një nga figurat që ka konsoliduar besueshmërinë e SPAK në opinionin publik. Gjithashtu Braho gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Çfarë pritet të ndodhë?
Pas përfundimit të afatit zyrtar të dorëzimit të kandidaturave, procesi pritet të kalojë në fazën e verifikimit të platformave dhe CV-ve të dorëzuara, përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të nisë vlerësimin dhe intervistat me secilin kandidat. Kujtojmë se drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ashtu sikurse dhe ligji e parashikon, gara për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme është hapur tre muaj para përfundimit të mandatit të kreut aktual. Dumani u zgjodh më 18 dhjetor të 2022 dhe është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme i cili në këtë detyrë pasoi Arben Krajën.
Mbyllen aplikimet për kreun e SPAK, zbardhen emra në garë, ja kush janë dy prokurorët specialë më favoritë që do ta…
