Pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes “Gjuha e Kaltër” në Mal të Zi, autoritetet e Kosovës kanë vendosur masa të menjëhershme mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e saj në vend.Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV), ka njoftuar për vendosjen e një mase të përkohshme ndalese për importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër” (Bluetongue – BT).Sipas AUV-it, ndalesa përfshin gjedhët, delet dhe dhitë, dhe vlen për të gjithë territorin e Malit të Zi.Kjo masë është ndërmarrë si veprim parandalues ndaj përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës, në përputhje me njoftimet ndërkombëtare nga sistemet ADIS dhe WAHIS.“Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV – obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet”, thuhet në njoftim.Çfarë është sëmundja “Gjuha e Kaltër”?“Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale që transmetohet nga insektet e llojit Culicoides (mushkonja), e cila prek ruminantët shtëpiak si gjedhët, delet dhe dhitë.Delet janë më të ndjeshme ndaj infeksionit, ndërsa gjedhët shërbejnë si bartës të virusit pa shfaqur gjithmonë simptoma të rënda.Sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha institucioneve përkatëse për të zbatuar masat e nevojshme mbrojtëse dhe për të parandaluar çdo rrezik potencial ndaj sektorit të blegtorisë në Kosovë.Sëmundja “Gjuha e Kaltër” nuk është e re për rajonin.Në vitet 2014–2015, ajo u shfaq në disa vende të Ballkanit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën e Hercegovinën, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike në sektorin e blegtorisë.Në atë periudhë, edhe Kosova kishte zbatuar masa të ngjashme ndalese, përfshirë kontrollin e rreptë të kafshëve importuese dhe monitorimin e insekteve bartëse të virusit.Pas më shumë se një dekade pa shpërthime serioze në afërsi, rikthimi i sëmundjes në Mal të Zi ka ngritur alarmin e institucioneve të Kosovës për të parandaluar çdo mundësi përhapjeje në territorin e vendit. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shpërthimi i “Gjuhës së Kaltër”, Kosova ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi
