Vlera e fondeve të investimit në valutë të huaj po rritet për të dytin vit radhazi. Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2025, vlera e aseteve neto të fondeve në valutë u rrit me 7.9%.Ndërsa krahasuar me mesin e vitit të kaluar, asetet neto të fondeve të investimit në valutë janë rritur me 20.2%.Megjithatë pesha specifike që këto fonde zënë ndaj totalit të aseteve neto të tregut tëfondeve të investimit ka pësuar rënie në 8.8%, nga 9.76% një vit më parë. Kjo tregon se fondet e investimit në Lekë janë rritur me ritme më të shpejta gjatë periudhës.Gjithashtu, asetet e këtyre fondeve ngelen ende larg niveleve të para vitit 2022, kur tregu pësoi goditje për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit.Nga ana tjetër, fondet e investimit në valutë ende ndikohen negativisht nga ecuria e kursit të këmbimit. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdoi rënien, megjithëse me ritme më të ngadalësuara.Në fund të 6-mujorit të këtij viti, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie të mëtejshme me 2.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Tregu i fondeve të investimit është një ndër segmentet e paktë të tregut financiar që ka pësuar ulje të nivelit të Euroizimit në vitet e fundit. Rënia ndodhi sidomos gjatë vitit 2022, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe yield-eve në tregjet ndërkombëtare.Rritja e yield-eve solli përkeqësimin e performancës së fondeve të investimit, duke bërë që një pjesë e investitorëve të vendonin të tërhiqeshin dhe të likuidonin asetet e tyre.Një tendencë e tillë u vërejt edhe tek fondet e investimit në Lekë, por në përgjithësi për fondet në valutë të huaj kthimet negative ishin më të thella. Veç efektit direkt të kthimit negativ në uljen e vlerës së aseteve, zhvillimet e vitit të kaluar kanë dekurajuar investimet e reja në fondet në valutë.Megjithatë, shifrat tregojnë se pas vitit 2024 fondet në valutë po i kthehen rritjes, të mbështetura edhe nga përmirësimi i ndjeshëm i performancës së fondeve.Sipas të dhënave më të fundit nga shoqëritë administruese, fondet e investimit në valutë janë të gjitha me kthime vjetore pozitive.Statistikat e AMF-së tregojnë se në Shqipëri janë të licencuar aktualisht trembëdhjetë fonde investimi, nga të cilët gjashtë kryejnë aktivitetin në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Pjesa dërrmuese e aseteve zotërohen nga fondi Raiffeisen Invest Euro, me afërsisht 77% të totalit të fondeve në valutë të huaj në fund të qershorit 2025.Raiffeisen Invest Euro investon kryesisht në instrumente të borxhit të qeverive, të korporatave të huaja dhe në kuota të fondeve të huaja të investimit. Ndërkohë, disa prej fondeve në valutë të themeluar në vitet e fundit kanë një politikë investimi që përfshin edhe aksionet e shoqërive tregtare. / E.ShehuBurimi: AMFKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Fondet e investimit në valutë të huaj po rriten për të dytin vit radhazi
