Kroatët janë të shqetësuar: Plazhi i tyre më i famshëm ka ndryshuar plotësisht pamjen

Një nga plazhet më të famshme të Adriatikut, Zlatni Rat në ishullin kroat Brač, po përballet me ndryshime të dukshme në formën dhe ekosistemin e tij, duke ngritur shqetësime tek banorët, turistët dhe ekspertët. I njohur për bukurinë e pazakontë dhe për faktin që ndryshon formë në varësi të erërave, plazhi ikonik është shndërruar prej kohësh në simbol të turizmit kroat.

Megjithatë, sipas raportimeve të Morski.hr, sot ka mbetur pak prej pamjes së tij të dikurshme për t’u përfshirë në kartolina. Ndryshimet klimatike, ndërtimet e shumta pranë vijës bregdetare dhe erërat e forta kanë ndikuar ndjeshëm në strukturën dhe simetrinë e plazhit. Forca në rritje e erërave perëndimore si mistrali dhe tramuntana, si dhe dobësimi i erërave tradicionale jugo dhe bora, kanë zhvendosur zhavorrin drejt lindjes, duke deformuar pamjen karakteristike të “bririt të artë”.

Ekspertët paralajmërojnë se ndërtimet në brendësi të plazhit kanë bllokuar rrjedhën natyrore të sedimenteve nga Vidova Gora, duke ndërprerë procesin që ruante balancën e masës së zhavorrit. Ndërkohë, ankorimi i pakontrolluar i anijeve përgjatë bregdetit ka dëmtuar rëndë habitatet nënujore dhe fushat me Posidonia oceanica, një bimë endemike mesdhetare që mban të qëndrueshëm shtratin e detit dhe rërën e plazhit.

Fotot e fundit nënujore kanë treguar dëme të dukshme nga spirancat, të cilat kanë shkatërruar zona të mëdha të posidonias, duke çuar në humbje të biodiversitetit dhe në rrezik për stabilitetin e plazhit. Banorët lokalë shprehen të shqetësuar se kombinimi i presionit turistik dhe ndryshimeve klimatike mund ta shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme këtë perlë të Adriatikut, e cila dikur njihej si një nga mrekullitë më të mëdha natyrore të Kroacisë.