“Nuk jemi të punësuar në Kuvend”, Mediu: Ja pse duhen ngritur Komisionet Hetimore

Kryetari i Partisë Republikane dhe njëkohësisht deputeti Fatmir Mediu ishte i ftuar në një emision televiziv, ku foli për debatet në parlament dhe mënyrën se si, sipas tij, mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama, po mohon çdo instrument demokratik të opozitës.
‘Mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama do të mohojë gjithmonë komisionet hetimore, interpelancat apo edhe seancat me debat në parlamentin e Shqipërisë,’ tha Mediu.
Ai theksoi se roli i deputetëve nuk është të jenë ‘të punësuar në Kuvend’, por përfaqësues të qytetarëve dhe të një krahu politik.
‘Ne nuk jemi të punësuar në Kuvendin e Shqipërisë, ne jemi përfaqësues të qytetarëve, të një krahu politik dhe veprimin tonë e kemi veprim politik, më pas çështja e administrimit brenda Kuvendit, është një çështje më tepër politike,’ deklaroi ai.
Mediu nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe qartësisë politike në raport me qytetarët, sidomos në betejat kundër krimit dhe korrupsionit.
‘Në raport me qytetarët qartësia e veprimeve tona është jashtëzakonisht e rëndësishme në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, respektimin e Kushtetutës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, problemet me luftën ndaj trafikut të drogës etj. Jo vetëm për të thënë se çfarë është, por dhe kush është zgjidhja. Jo vetëm me shqiptarët, por edhe me ndërkombëtarët, dhe kjo është e domosdoshme,’ u shpreh kreu i PR-së.
Sa i përket ngritjes së komisioneve hetimore, Mediu theksoi se duhet të ketë një diskutim të qartë mbi qëllimin dhe rezultatet që priten prej tyre.
‘Në këtë pikëpamje unë mendoj që për ngritjen e Komisioneve Hetimore është shumë e rëndësishme që të ketë një diskutim paraprak që të paraprihet jo vetëm nga fakti, por edhe ajo çfarë duan të realizojmë ne, në elementë të fundit, pas ngritjes së këtyre komisioneve hetimore,’ tha ai.
Sipas Mediut, mazhoranca synon të mbyllë çdo hapësirë kontrolli parlamentar dhe transparence.
‘Mazhoranca ka për t’i mohuar gjithmonë të drejtat e komisioneve hetimore, të drejtat e interpelancave, të drejtën për debat për disa çështje që kanë rëndësi,’ shtoi ai.
Në përfundim, Mediu theksoi se çështje si lufta ndaj karteleve të drogës dhe korrupsionit janë thelbësore për debatin parlamentar.
‘Nëse nuk është e rëndësishme lufta ndaj karteleve të drogës dhe korrupsionit, atëherë çfarë më e rëndësishme për një debat në një kuvend të një republike parlamentare?’, u shpreh ndër të tjera Fatmir Mediu