20 mijë e 252 maturantë janë rregjistruar në universitetet e vendit, duke shënuar mbylljen e raundit të dytë të regjistrimeve. Menjeherë pas mbylljes se këtij raundi maturantët kanë në dispozicion datat 9 dhe 10 tetor për të kryer procesin e çrregjistrimit.
Krahasuar me një vit më parë, numri i maturantëve që kanë vijuar studimet e larta është rritur vetëm me 52 studentë më shumë.
Degët tradicionale të preferuara vijojnë të mbeten të njëjtat: Mjekësia, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit, ndërsa pas tyre renditen Drejtësia dhe fushat e ekonomisë.
Në krahun tjetër, degë si Fizika, Kimia apo gjuhët e huaja vazhdojnë të jenë më pak të kërkuarat, duke ruajtur të njëjtën panoramë me vitet e kaluara.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se arsimi i lartë në vend po përballet me një rënie të numrit të studentëve. Për vitin akademik 2024–2025, në auditore janë numëruar 122,613 studentë, nga 123,797 në vitin akademik 2020–2021. Numri më I ulët u evidentua në vitin 2023-2024 me vetëm 120,063 studentë.
Raundi i tretë i regjistrimeve pritet të zhvillohet në datat13 deri më 24 tetor, ku maturantët do të kenë mundësinë të kryejnë regjistrimin drejtpërdrejt në sekretaritë e universiteteve përkatëse. Ndërkohë, për maturantët e viteve të kaluara, data 14 tetor do të jetë një mundësi e fundit hapet për herë të fundit formulari A1Z.
Mbyllet raundi i dytë i regjistrimit, ja kur është shansi i fundit për maturantët
