Katër ditë në Tiranë, vizitë e papritur dhe e diskutueshme. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, i njohur për akuzat e rënda të korrupsionit dhe mashtrimit në SHBA është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, e cilësuar si një nga më të korruptuarat në planet, pasi gjysma ndodhet në burg dhe gjysma tjetër është nën hetim nga drejtësia. Eric Adams u përball me akuza të rënda korrupsioni nga Prokuroria e Nju Jorkut në shtator 2024. Një aktakuzë 57 faqëshe e Departamentit të Drejtësisë (SDNY) e ngarkoi atë me konspiracion për të marrë kontribute zgjedhore nga shtetas të huaj, mashtrim, kërkim dhe pranimin e ryshfeteve dhe shkelje të ligjeve të fushatës.
Sipas prokurorëve, Adams e përdori pozicionin e tij si President i Borough të Bruklinit dhe më vonë si kryetar bashkie për të marrë përfitime luksoze, fluturime falas ose të ulëta në biznes klas, qëndrime në hotele luksoze, drek, darka dhe argëtime nga biznesmenë dhe zyrtarë turq. Në këmbim, ai kërkoi që Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut të lejonte hapjen e konsullatës së re 36 katëshe të Turqisë në Manhattan pa inspektim zjarri. Prokurorët gjithashtu pretendojnë se ai mori dhe kërkoi kontribute të fshehta për fushatën e vitit 2021 nga shtetas të huaj përmes “donatorëve kukull” për të marrë miliona dollarë fonde publike në programin e financimit të fushatave. Adams mohoi çdo shkelje, por rrezikonte deri në 20 vjet burg për akuzat e mashtrimit me tel dhe deri në 10 vjet për akuzën e ryshfetit.
Procesi penal
Procesi penal zgjati disa muaj dhe pati pasoja politike. Sipas një kronologjie të CBS New York, FBI sekuestroi pajisjet elektronike të Adamsit në nëntor 2023 dhe kreu një seri bastisjesh ndaj bashkëpunëtorëve të tij gjatë vitit 2024. Megjithatë, në prill 2025 Departamenti i Drejtësisë i urdhëroi prokurorët federalë të pushonin çështjen, duke argumentuar se ndjekja penale po pengonte bashkëpunimin e kryetarit me administratën Trump për zbatimin e politikave të imigracionit. Gjyqtari Dale Ho e pranoi kërkesën dhe hodhi poshtë akuzat “me paragjykim”, që do të thotë se ato nuk mund të ringjalleshin. Më pas, disa komente nënvizuan se urdhri për pushim “kemi aromë pazari”, duke sugjeruar se mund të kishte një lloj marrëveshjeje politike. Pas pushimit të akuzave dhe rënies së mbështetjes në sondazhe, Adams hoqi dorë nga gara për mandatin e dytë.
Dyshimet rreth vizitës në Shqipëri
Në tetor 2025, vetëm pak muaj pas përfundimit të hetimit, Adams njoftoi një udhëtim katër ditor në Shqipëri me ftesë personale të kryeministrit Edi Rama. Zyra e tij tha se qëllimi ishte të diskutonin “mundësi të reja për të rritur aktivitetin ekonomik dhe turizmin” midis Nju Jorkut dhe Shqipërisë dhe se ai do të takonte Ramën, deputetë dhe drejtues biznesi. Udhëtimi u financua pjesërisht nga qeveria shqiptare (hoteli dhe transporti tokësor), ndërsa fluturimet dhe siguria paguheshin nga taksapaguesit e Nju Jorkut. Megjithëse zyra e tij këmbënguli se udhëtimi ishte “për punë” dhe jo për përfitim personal, kritika të shumta vunë në dyshim motivet e vizitës.
Organizata “Reinvent Albany” vuri në pah se kryetarët e qytetit nuk duhet të pranojnë dhurata nga qeveritë e huaja dhe se Shqipëria nuk ka lidhje të konsiderueshme ekonomike me Nju Jorkun, prandaj vizita dukej “e pakuptimtë”. Media britanike “The Independent” kujtoi se Adams kishte qenë më parë nën akuzë për marrjen e përfitimeve të luksit nga zyrtarë turq dhe se kjo vizitë e re e paguar nga një qeveri tjetër mund të ushqejë dyshime për një “grabitje” ose kërkim mundësie punësimi.
Mediat kanë raportuar se Rama ka një histori të ftesës së figurave të huaja për të përmirësuar profilin e tij ndërkombëtar; një diplomat perëndimor e quajti këtë strategji “sponsorizim personal”, duke thënë se Rama “po blen kredibilitet ndërkombëtar” për të forcuar pushtetin në vend. Madje ironia më e madhe është se kryebashkiaku i New Yorkut i dyshuar për korrupsion po viziton një kryeministër që ka korruptuar drejtorin e FBI “McGonigal” dhe dosja ende është aktive në SPAK dhe SHBA.
Furtune kritikash
Në mes të vizitës së tij katërditore në Shqipëri, kryebashkiaku i Nju Jorkut, për herë të parë mungoi në ceremoninë përkujtimore të Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY), ku nderohen anëtarët e rënë të shërbimit, një vendim që Presidenti i Unionit të Zjarrfikësve të Bashkuar, Andrew Ansbro, e quajti “jashtëzakonisht zhgënjyes” dhe të paprecedentë. Në vend të tij, pjesëmarrja u mbulua nga zëvendëskryebashkiaku për sigurinë publike, Kaz Daughtry. Thomas Tracy nga Daily News thekson se ky veprim ka shkaktuar polemika dhe pikëpyetje mbi prioritetet e kryebashkiakut, duke evidentuar kontrastin mes mungesës së tij në një ngjarje të rëndësishme për qytetin dhe takimeve të tij në Shqipëri me kryeministrin Edi Rama.
Kryebashkiaku i New Yorkut i dyshuar për korrupsion vizitë kryeministrit që korruptoi drejtorin e FBI, Edi Rama “çan”..
