Pronat e shtetit lihen në degradim, shpenzohen mln për qira zyrash te privatët

Pronat e shtetit lihen në degradim, shpenzohen mln për qira zyrash te privatëtProna, është burimi i mjaft të këqijave dhe tragjedive në Shqipërinë e pas viteve ’90-të. Duket paradoksale por edhe vetë shteti, nuk ka arritur dot të vërë në shërbim pronat e tij për t’i vënë në funksion të shërbimeve dhe të mirave publike.
Kjo përbën një prej pikave përse shteti detyrohet të marrë ambiente me qira për t’i përdorur për zyra. Miliona euro të taksapaguesve shpenzohen çdo vit për zyra apo godina të cilat mund të mbuloheshin përmes pronave të lëna në degradim nga shteti, apo duke ndërtuar të reja kur shihet e arsyeshme.
“Mund të themi ka keqpërdorim dhe keqmenaxhim sepse vihet re që merren me çmime shumë të shtrenjta ambientet nga struktura shtetërore sidomos nga kompanitë aksionere shtetërore publike dhe kur jep shteti dhe zakonisht dhënien me qira e kanë në më të shumtën e rasteve pushteti vendor bashkitë, kostoja e dhënies është shumë e ulët”, u shpreh Suzana Guxholli-eksperte ekonomie.
“E jep lirë e blen më shtrenjtë, e pafalshme”, u shpreh Agron Haxhimali-Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
‘Në të vërtetë nuk ka logjikë ekonomike nëse shet lirë e blen shtrenjtë, apo jep me qira lirë dhe merrr shtrenjtë’ u shpreh Reinaldo Pipiria, Drejtor ekzekutiv i NAREA
Kjo ka edhe një problem tjetër. Së pari nuk kemi asnjë strukturë të asaj që duhet të qëndrojë shtetërore duhet të qëndrojë publike”, u shpreh Aranita Brahaj-eksperte ekonomie.
“Legjislacioni shqiptarë, ligji për organizimin e qeverisjes vet-vendore ua jep këtë të drejtë këtë pushtet këtë autoritet njësive të qeverisjes vendore”, u shpreh Agron Haxhimali-Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
Vihet re një mungesë totale kordinimi mes institucioneve, apo pushtetit qëndror dhe atij lokal. Nëse një institucion mund të ketë një godinë të lirë, është e rrallë që ajo të bëhet zgjidhje për një tjetër ent shtetëror që ka nevojë.
Por, titullarët zgjedhin rrugën e shkurtër. I drejtohen privatëve duke lidhur kontrata qiraje. Kjo, e ka një shpjegim. Shpesh, kontratat e qirasë janë parë si mundësi përfitimi jo vetëm nga privati, por edhe zyrtarët që bëjnë marrëveshjet.
“Nëse një strukturë publike siç është në sektorin e shëndetësisë ka nevoja të konsiderueshme për sipërfaqe sidomos për poliklinika apo ambiente atëherë është mirë të bëhet një studim, makro dhe të shihet se cila është totali i ambienteve që kësaj strukture i duhet dhe pastaj të diskutohet a ia vlen të lidhesh me struktura publike apo private për të ndërtuar dhe për t’i patur në pronësi të përhershme apo të marrësh me qira”, u shpreh Suzana Guxholli-eksperte ekonomie.
“Ne kemi pasur situate qesharake siç ishte Bashkia Kavajë që nuk kishte ambient materniteti dhe ishte vendosur në një ambient me qira apo gjykata. Përgjithësisht institucionet në një shtet funksional normal ndërtojnë strategji të sektorëve përkatës, parashikojnë nevojat që lidhen kryesisht me numrin e popullsisë dhe shërbimet që ofrojnë dhe përdorimi i ambienteve me qira është përjashtim nuk është rregull”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preci.
“Ne shohim përshembull që ka dalë shumë tipologji e artikuluar dhënia e një shkollë me koncesion apo marria e një ambienti me qira për të qenë një shkollë një kopsht apo një zyrë shtetërore. Pse duhet të ndodhë kjo? Taksapaguesit shqiptarë paguajnë taksa në përgjithësi por edhe taksa specifikisht për infrastrukturën”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet e njëpasnjëshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për pushtetin vendor, arrin në konkluzionin se ka mungesë të ardhurash në buxhet kur bëhet fjalë për pronën.
Keqmenaxhimi i saj, apo hartimi i problematik i kontratave të qirave. Këtu, përfshihen edhe rastet kur enti publik rezulton qiramarrës.
“Dhënia me qira e godinave të papërdorura ose të ambienteve tepër që kanë institucionet shtetërore, strukturat shtetërore është pothuajse shumë lirë” u shpreh Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.
“Ajo çka vihet re dhe që është shumë evidente kohët e fundit qoftë nga ekzekutivi qoftë nga pushteti lokal është karakteristika që prona shtetërore, prona publike, aseti publik, po përdoret me një frymë që nuk ka të bëjë aspak as me eficensën ekonomike as me logjikën e ekonomike dhe mbi të gjitha as me integritetin e një procesi”, deklaroi Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
“Shohim kontrata qiraje të shifrave të nivelit të tregut në fakt duhen bërë studime dhe tregu është i njëjtë dhe kur e jep dhe kur merr”, u shpreh Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.
Auditimi i kryer në Drejtorinë e përgjithshme të Agjencisë shtetërore të Kadastrës në vitin 2022 nxjerr në pah të dhëna alarmante. Vetëm 9% e pronave shtetërore janë të regjistruara. Ky fakt e bën të vështirë, ndonjëherë edhe të pamundur menaxhimin e tyre në interes të qytetarëve duke sjellë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Shpesh, kjo është parë si skemë për të favorizuar privatizimin.
Nga auditimi u konstatua se në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, shteti shqiptar nuk ka të identifikuar, inventarizuar dhe regjistruar pronat e veta dhe nuk disponohet një statistikë mbi numrin real të pasurive, sepse një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore përbëhet nga disa pasuri. Nga ana e institucioneve qendrore dhe atyre vendore rezulton se janë regjistruar vetëm 9% e pronave shtetërore.
“Ka një tendencë që çfarë është pronë shtetërore pronë publike, qoftë tokë qoftë ndonjë aset ti jepet mundësi një liberalizimi një kalimi të shpejtë me pak eficencë ekonomike pra me pak tarifa ekonomike për privatizimin tek private”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.