Nga Julia Vrapi
Koncert premierë me vepra nga Paganini, Rachmaninov, Stravinsky & Rimsky-Korsakov këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sezoni artistik sjell në skenë dhe një nga violinistët me famë ndërkombëtare Giuseppe Gibboni. Koncerti me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, në bashkëpunim me Orkestrën e Forcave të Armatosura është nën drejtimin e maestros Sergio Alapont. Giuseppe Gibboni, fitues i çmimit “Premio Paganini”, dhe një nga violinistët më në zë të momentit vjen në TKOB për këtë koncert premierë, që është dhe një nga veprimtaritë e rëndësishme muzikore këtë sezon artistik. Pjesë e koncertit këtë mbrëmje është dhe “Uverturë mbi tema popullore”, op. 28 nga Nikolai Rimsky-Korsakov. Sipas teatrit më parë, “Uverturë mbi tema popullore”, op. 28 është plot ritme popullore, melodi që frymojnë traditë dhe një orkestracion plot ngjyra që parathotë gjenialitetin e autorit të Sheherazade.
“Kjo uverturë e hershme, kompozuar kur Rimsky-Korsakov ishte vetëm 22 vjeç, bashkon tri këngë popullore në një simfoni emocionesh, nga himni solemn deri te ritmet vallëzuese të fshatit. Një vepër që shpalos thelbin e muzikës romantike, ku çdo notë tingëllon si një kujtim i tokës, traditës dhe shpirtit të një kombi”, thuhet nga teatri rreth veprës muzikore premierë absolute nga Orkestra e TKOB-së në bashkëpunim me OSFA-në. Pas këtij koncerti këtë mbrëmje, Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë muaj debuton në Festivalin Respighi Bologna 2025. Në këtë festival Orkestra Simfonike e TKOB-së më 13 tetor do të prezantojë një program muzikor me vepra të autorëve botërorë. Edhe në këtë koncert publiku i Bolonjës në Itali do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur dhe mjaft impenjativ, nën drejtimin e dirigjentit spanjoll Sergio Alapont, por edhe me pjesëmarrjen e violinistit Giuseppe Gibboni.
Aktiviteti muzikor i violinistit
Violinisti Giuseppe Gibboni që këtë mbrëmje do të jetë në koncert është i njohur për teknikën e tij brilante, ndjeshmërinë interpretuese dhe pjekurinë artistike që rrallë gjendet në një moshë kaq të re. Sipas teatrit, Gibboni është një nga violinistët më të jashtëzakonshëm të brezit të tij. “Fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar “Premio Paganini” 2021, ai u bë violinisti i parë italian pas 24 vitesh që fitoi këtë çmim prestigjioz, duke marrë gjithashtu dhe çmimin e publikut dhe dy çmime speciale për interpretimet më të mira të veprave të Paganinit. Me një virtuozitet që ndërthur pasionin me perfeksionin teknik, Gibboni ka performuar në disa nga skenat më të njohura europiane, duke u konsideruar si një fenomen i violinës moderne”, thuhet për violinistin italian. Violinisti Giuseppe Gibboni që këtë mbrëmje do të jetë pjesë e koncertit vjen në vijim dhe të artistëve të tjerë të njohur të skenave europiane në TKOB, që kanë qenë pjesë e shfaqjeve dhe koncerteve të ndryshme.
Violinisti Giuseppe Gibboni dhe Orkestra e Operës me një koncert premierë, vepra edhe nga Paganini e Rachmaninov
