Festivali “Tirana Gate” me temë “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore -Arti i qëndrimit” në edicionin e 11-të

Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate 2025” ka mbledhur autorë të letërsisë. Festivali nisi një ditë më parë edicionin e tij të 11-të dhe prej vitesh është pjesë në jetën kulturore në Tiranë. Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate” po vijon dhe këtë vit panelet e diskutimit me autorë të pranishëm dhe vjen me temën “Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore – Mesdheu: Arti i Qëndrimit”, një ftesë e hapur për të eksploruar rrjedhat e thella kulturore, historitë e ndërthurura dhe zërat e ndryshëm që vazhdojnë të zhvillojnë imagjinatën kolektive. Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi u shpreh se u vendos që festivali të kishte si bosht Mesdheun, jo thjesht duke iu referuar një hapësire gjeografike së cilës ne i përkasim, por sepse Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, nyje takimesh dhe shpeshherë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre. Autorë nga Shqipëria, Italia, Greqia, Turqia,
Suedia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi janë të pranishëm në panelet e diskutimit dhe do të lexojnë në gjuhët e tyre gjatë ditëve të festivalit. Paneli i parë dje me temë “Kohë të këqija për fjalën” u zhvillua me pjesëmarrjen e Maša Seničić nga Serbia dhe autorëve Manjola Nasit e Namik Dokle. Ndërsa autorët lexojnë solli Maša Seničić (Serbi), Enxhi Naumin, Namik Doklen dhe Genta Hodon. Paneli 2 me temë “Zërat e së ardhmes: Rinia, teknologjia dhe letërsitë e reja” u zhvillua me pjesëmarrjen e Enxhi Naumit, Xhensila Dautllarit, Diana Çulit dhe Genta Hodos. Ndërsa autorët lexojnë solli fragmente nga Sara Stridsberg nga Suedia dhe Alban Bala e Manjola Nasi. Edicioni i 11-të i festivalit letrar ndërkombëtar të të rinjve “Tirana Gate 2025” në ditën e parë solli dhe performancën e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Festivali këtë vit do të vijojë deri në datën 10 tetor në Tiranë.