Nga Julia Vrapi
“Gabimi” dhe “Karroca e jetës” janë dy projekte të filmit të animuar, që do të financohen për realizimin e tyre nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga katër projekte, Këshilli Miratues i Projekteve të filmit dokumentar, filmit të animuar dhe projekteve të ndryshme kinematografike vlerësoi me më shumë pikë dy prej tyre, “Gabimi” skenari dhe regjia Bujar Kapexhiu dhe “Karroca e jetës” skenari dhe regjia nga Shaqir Veseli. Secili nga këto projekte do të ketë një financim 2 milionë lekë të reja. Sipas njoftimit të QKK-së bëhet me dije se projekti me titull “Gabimi” skenari dhe regjia Bujar Kapexhiu shtëpia kinematografike “Idea” u vlerësua me 373 pikë dhe projekti me titull “Karroca e jetës” skenari dhe regjia Shaqir Veseli shtëpia kinematografike “AM-Production” u vlerësua me 370 pikë, ku në vijim në konkurrim ishin dhe dy projekte të tjera që morën më pak pikë në vlerësim.
Në vendimin që mban datën 29 shtator 2025 në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë thuhet se Këshilli Miratues i Projekteve të filmit dokumentar, filmit të animuar dhe projekteve të ndryshme vendosi ti propozojë kryetarit të QKK-së financimin e projekteve “Gabimi” dhe “Karroca e jetës”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) është krijuar në vitin 1997 dhe përmes administrimit të fondit publik mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë, ku shpallja e dy projekteve fituese të animacionit është në vijim dhe të atyre më parë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë që prej krijimit të saj, mbështet prodhimin, distribuimin dhe promovimin e filmave me metrazh të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar. QKK gjithashtu është edhe përfaqësuese e Shqipërisë pranë strukturave ndërkombëtare kinematografike Eurimages, SEE Cinema Network dhe European Film Promotion dhe organizon pavione të filmit shqiptar në festivalet ndërkombëtare të filmit në Kanë dhe Berlin.
Dy projektet e animacionit
Animacioni në vendin tonë do të ketë në vijim dy projekte të tjera filmi, që u shpallën fitues së fundmi, ku Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën me dije dhe përmbajtjen e tyre. Në filmin “Gabimi” një projekt me skenar dhe regji nga Buar Kapexhiu në fokus është ndotja e mjedisit. “Panorama e qytetit me shtëpi të bukura dhe me rrugë shumë të pastra. Pranë trotuarit duken koshat e plehrave. Njerëz kalimtarë që hedhin në drejtim të koshave mbeturina të ndryshme. Të gjitha mbeturinat bien jashtë koshave, duke ndotur mjedisin. Personazhi kryesor një djalosh dhjetë vjeçar ble diçka në supermarket dhe pasi e konsumon e hedh në rrugë”, thuhet në materialin shpjegues nga QKK. Ndërsa “Karroca e jetës” nga Shaqir Veseli është një film i animuar poetik që përshkruan rrugëtimin simbolik të jetës njerëzore nga lindja në errësirën e natës, tek dashuria, humbjet dhe pranimi i fundit të pashmangshëm. Një karrocë, që nuk ndalet kurrë, udhëheq personazhet nëpër etapat e ekzistencës, nën ritmin e kohës dhe vargjet filozofike të narratorit.
Filmi i animuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, shpallen fitues projektet “Gabimi” dhe “Karroca e jetës”
