Qeveria shqiptare po bën përpjekje për një linjë fluturimesh direkte me New York-un.
Vizita e kryebashkiakut amerikan Eric Adams në Tiranë, i dha kreut të qeverisë mundësinë për të përsëritur kërkesën, e cila nëse realizohet, do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të SHBA dhe Shqipërisë.
“Diskutuam së bashku për mundësitë e bashkëpunimit në turizëm. Duke qenë se Adams ka qenë i angazhuar në vendosjen e disa linjave direkte nga Nju Jorku me vende të tjera, po shikojmë mundësinë e nxitjes së përpjekjeve tona për të vendosur fluturimin direkt me Nju Jork”, tha Rama.
Gjatë një deklarate të përbashkët, Kryebashkiaku i Nju Jork, Adams vuri theksin tek bashkëpunimi ekonomik, por dhe tek migracioni.
“Erdha këtu të flas për turizmin dhe të shohim si mund të shfrytëzojmë muajt që kam në detyrë për të ndihmuar në këtë aspekt. Diskutuam edhe në lidhje me mënyrën si duhet të merremi me çështjen e emigracionit në të gjithë botë dhe për të folur për atë që bëhet nga Ministria e Mbrojtjes. Jemi të angazhuar për mënyrën se si mund të krijojmë një marrëdhënie simbiotike”, u shpreh Eric Adams.
Adams Sqaroi dhe arsyen e vizitës së tij në Shqipëri.
“Ka pasur shumë spekulime pse jam këtu, jam për të përshëndetur e mësuar nga një mik, e për të forcuar një miqësi që nuk na lejon të kemi ndasi. Do të mësojmë nga njëri-tjetri”, shtoi ai.
Nuk munguan as batutat mes dy drejtuesve të lartë.
“Duke qenë i interesuar për teknologjinë, Kryebashkiaku Adams ka shumë dëshirë të takohet edhe me Diellën”, deklaroi Rama.
/vizionplus.tv
