Kredia për korporatat vazhdon të dominojë huadhënien ndaj biznesit, por statistikat tregojnë që kredia për biznesin e madh po rritet me ritme më të ngadalta gjatë këtij viti.Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht kredia për këtë segment arriti vlerën e 266.6 miliardë lekëve. Në një vit, kredia për korporatat është rritur me afërsisht 21 miliardë lekë ose 8.4%.Rritja e kredisë për biznesin e madh ngelet më e lartë në raport me rritjen e portofolit total të kredisë për biznesin. Megjithatë, norma e rritjes është reduktuar ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Në gushtin e 2024, kredia për biznesin e madh ishte në rritje vjetore me 23%.Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit. Kredia afatgjatë në fund të gushtit rezultonte në rritje vjetore me më shumë se 16%, për një vlerë totale prej 129 miliardë lekësh.Rritja e kredisë afatgjatë duket se i detyrohet sidomos rritjes së shpejtë të financimeve për qëllime investimi dhe veçanërisht për pasuri të paluajtshme. Këtë vit, rritja e kredisë për pasuri të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm nga ritmet e vitit të kaluar. Në fund të muajit gusht, ky portofol ishte në rritje me 9% me bazë vjetore. Megjithatë, kredia afatgjatë po vazhdon të rritet, për të mbështetur projekte të reja investimi të bizneseve të mëdha.Kreditë për biznesin dhe në veçanti ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015. Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke vendosur fokus në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë. Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë.Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale. Në muajin gusht të këtij viti, një grup (sindikatë) bankash tregtare ranë dakord të japin një kredi në shumën e 20 milionë eurove për kompaninë SPV Blue 2, me qëllim të financojë investimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në Sheq-Marinas të Fierit. / E.ShehuBurimi: BSH Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kredia për biznesin e madh po rritet me ritme më të ngadalta
