Strategjia e re Kombëtare e Kulturës 2026-2030 do të mbledhë profesionistë të fushës, drejtues të institucioneve, artistë dhe më gjerë. Hartimi i kësaj strategjie do të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku pjesëmarrësit do të ndajnë ide dhe vizione për zhvillimin e kulturës në vendin tonë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet se më 10 tetor do të zhvillohet dhe forumi i hapur për të ardhëm e kulturës në vendin tonë. “Nis puna për Strategjinë e re Kombëtare të Kulturës 2026-2030! Më 10 tetor, në HangArt – Kinostudio, Tiranë, zhvillohet forumi i hapur për të ardhmen e kulturës në Shqipëri, ku artistë, profesionistë dhe institucione do të ndajnë ide e vizione për zhvillimin kulturor të vendit.
Një proces gjithëpërfshirës që synon të ndërtojë një strategji moderne, bashkëkohore dhe të qëndrueshme për kulturën shqiptare”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Takimi që do të bëjë bashkë artistë, profesionistë të fushës dhe drejtues të institucioneve do të jetë më 10 tetor nga ora 9:30-16:30 në HangArt – Kinostudio. Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030 vjen në një kohë kur arti dhe kultura në vend po përballet me probleme nga më të ndryshmet, ku sot në Tiranë sa i takon institucioneve kemi një Cirk Kombëtar që vijon aktivitetin në skena të ndryshme pasi nuk ka çadrën e tij, institucione teatrore kombëtare që vijojnë aktivitetin në salla te “ArTurbina”, një Bibliotekë Kombëtare që është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe ku kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet e saj, etj. Herë pas here dhe artistë të ndryshëm kanë folur për problemet në art dhe kulturë, duke shprehur kritika në drejtim të institucioneve, ku sipas tyre duhet të ketë dhe përmirësim të ligjit të artit.
Nis puna për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030
