Elmas Bogdani
Juristi dhe analisti, Romeo Kara ka bërë një analizë të thelluar mbi mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon sot Partia Socialiste nën drejtimin absolut të Edi Ramës, duke theksuar mungesën e çdo figure të dytë me peshë reale politike. Sipas tij, PS-ja është shndërruar në një strukturë vertikale, ku “Rama është njëshi, dhe poshtë janë vetëm vende bosh”, ndërsa të gjithë të tjerët marrin forcë vetëm nga vullneti dhe përkrahja e tij personale. Kara vëren se as figura me përvojë si Ogerta Manastirliu apo Pandeli Majko nuk guxojnë të krijojnë një mendim të pavarur apo një qëndrim kritik, sepse partia është ndërtuar në mënyrë që të mos ketë individualitete të forta.
Ai shton se kjo gjendje është mbajtur nën kontroll për aq kohë sa PS-ja është në pushtet, por paralajmëron se kur të përfundojnë në opozitë do të shpërthejnë sherret, njësoj siç ka ndodhur në kampin e Berishës. Në analizën e tij, Kara prek edhe temën e emigrimit masiv dhe shkatërrimit të lidhjes me atdheun, duke e lidhur këtë fenomen me mungesën e konceptit të familjes dhe pronës si bazë e identitetit kombëtar. Në fund, ai thekson se edhe në zgjedhjet e nëntorit, përballja e vërtetë politike nuk është me Ogerta Manastirliun si kandidate formale, por me vetë Edi Ramën, i cili kontrollon çdo gjë në mënyrë absolute.
Ja çfarë thotë Romeo Kara
“Tani, po të marr parasysh kongreset dhe kuvendet e PS-së, unë nuk mbaj mend prej shumë vitesh – sepse ne shohim debat publik, gjë tjetër në kabinet qeveritar nuk kemi parë – një figurë të dytë që të flasë dhe të krijojë një mendim dhe të ketë një korrelacion si individ. Kështu është strukturuar PS-ja sot: Rama është “njëshi”, dhe të gjitha vendet janë bosh, dhe në fund është gjithë partia. Ata janë të qetë në këtë gjendje sepse janë në qeverisje. Kur të shkojë në opozitë, do fillojë dhe aty pastaj të ketë zëra, siç ka te Berisha e të tjerë. Kjo tregon që Rama delegon përkohësisht pushtet, siç i delegoi Ahmetajt dhe Veliajt, dhe e merr kurdo.
Pra, të gjithë numrat poshtë janë të barabartë, duke marrë forcën vetëm nga përkrahja që jep Rama. Askush nuk e ka forcën e tij atje në PS, madje as Manastirliu pas 10 vitesh ministre dhe funksionare e lartë. PS-ja është ndërtuar vetë ashtu. Tani, Majko, ish-kryeministër, rri dhe dëgjon tetë orë atje, nuk lodhet dhe nuk thotë asnjë fjalë, madje as për lavdërim. Së dyti, ne shqiptarët aq keq na kanë ecur punët sa kemi marrë rrugët e vendit, na e kanë hequr atdheun, vëlla. Po nuk u ndërtua koncepti i familjes (koncept që kanë konservatorët) me atdheun – nëse nuk kam këtu nënë e babë, pronën time, jetën time, nuk më lidh gjë.
Tani shqiptarët që jetojnë jashtë vijnë në Shqipëri dhe kthehen atje sepse u duket si në shtëpi atje, pasi kanë dhe familjen. Zbyth shqiptarët jashtë dhe jemi të lumtur ne? Kjo nuk ecën më kështu. Për këtë mendoj që në këto zgjedhje kemi Ramën. Nuk është Rama direkt kryetar bashkie, është Ogerta. Pra, personi që duhej të zgjidhej nga Partia Demokratike (PD) duhet të ishte dikush që do sfidonte Ramën direkt”, shprehet Romeo Kara.
Romeo Kara zbulon si iu jep pushtet dhe i shuan Edi Rama figurat përreth tij, ja kur do plasë sherri i madh në PS…
