Gazment Bardhi sulmon Belinda Ballukun, e akuzon se është e lidhur me grupet kriminale, ja kush është “i forti” që…

Rigels Seliman
Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka hedhur akuza të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Ballukut, duke e cilësuar atë si një “zare të krimit të organizuar” dhe “simbol të korrupsionit në qeveri”. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi akuzoi dje Ballukun për lidhje të ngushta me grupe kriminale dhe për ngritje politike jo në bazë merite, por falë mbështetjes së Edi Ramës dhe bashkëpunimit me strukturat e paligjshme. “Për sahanlëpirsen e Metit, një zare e pashoq e krimit të organizuar! Belinda Balluku është politikania e vetme që pa shkollë të mesme arrin majat si numri 2 i Qeverisë, vetëm falë frikës dhe bashkëpunimit që ka Edi Rama ndaj krimit të organizuar. Për fat të keq deri me tani edhe prokurorët e posaçëm, njëlloj si Edi Rama, po tregojnë se janë nënshtruar ndaj kërcënimeve mafioze të grupeve kriminale. Por e siguroj “fisin e bukur” Belinda Balluku se krimet e saj nuk do mbeten kurrë pa u ndëshkuar! Korrupsioni i saj ulëret nga Shqipëria deri në SHBA”, shkroi dje Bardhi.
Rikonfirmimi i Ballukut në qeveri, shpërthen Bardhi
Ndërkohë edhe më herët kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, teksa ka komentuar përbërjen e qeverisë së re, ka pohuar se surpriza më e madhe ishte rikonfirmimi i Belinda Ballukut në pozicionin e saj. Bardhi theksoi se kjo tregon edhe njëherë se Balluku e mban nën presion e shantazh kryeministrin e vendit dhe se ministrja ka lidhje me krimin “Për mua, surpriza më e madhe e kabinetit të ri qeveritar ishte rikonfirmimi i personit më të korruptuar në 35 vite qeverisje demokratike, që është zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Kjo tregon edhe njëherë se ato që qarkullojnë si fjalë në ambientin politik dhe mediatik që zonja Balluku e mban nën presion e shantazh kryeministrin e vendit apo për shkak të lidhjes me krimin e organizuar që ajo ka, rezultuan të vërteta”, deklaroi pak ditë më parë ai. Më tej z. Bardhi u shpreh se kabineti i ri është ndarë sipas tij, në disa ushtarë të Belinda Ballukut dhe gjysma tjetër të Edi Ramës. “Po të shikosh kabinetin, duket i ndarë gjysmë për gjysmë, disa ushtarë të Belinda Ballukut dhe gjysma tjetër të Edi Ramës. Nuk e di nëse mund ta quajmë qeveria Rama 4 apo qeveria Balluku 1”, nënvizoi Bardhi.
Drejton fushatën e Tiranës, Berisha: Balluku ka nisur takimet me bandat, shkoi tek Asllani i Vorës
Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar drejtuesen e fushatës së PS në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme, Belinda Ballukun për lidhje me krimin në kuadër të garës elektorale. Berisha u shpreh se Balluku, të cilës iu referua si “Lubia”, “ka filluar takimet me bandat kriminale”, duke përmendur emra si “Asllani i Vorës” mes të tjerësh. Më tej ai foli edhe kandidatin e PD në zgjedhjet e pjesshme, duke thënë se në dy ditët e ardhshme do të ishte koha e përshtatshme për nxjerrjen e një emri përfundimtar. “Unë nuk jam këtu për të diskutuar për asnjë emër. Nuk më lejohet mua. Nëse unë ftoj intelektualë, ftoj specialistë, ftoj ekspertë që të konsiderojnë kandidimin e tyre në betejë për Tiranën, Beratin, në betejë për Vlorë, për të gjitha qytetet, atëherë çfarë kuptimi ka të dal e të them unë, mbështes filanin, ose nuk mbështes filanin.
Jo. Tani, edhe njëherë nuk kam asnjë prononcim për kandidatin. Ka përcaktuar bandat kriminale, se ajo Lubia ka filluar takimet me bandat. Është takuar me Asllani i Vorës dhe me radhë dhe po takon bandat. Aty ligjin po e bëjnë bandat. Unë nuk them se, nuk është një kohë e ngushtë. Është një kohë e ngushtë, por ne po i bëjmë këto gjëra, do ti realizojmë. Mendoj se dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e përshtatshme se dhe zgjatja është e pamundur. Sot dhe nesër do të pritet. Nuk ka gjë të përcaktuar, nuk ka asgjë. Por vetë koha është shumë e ngushtë. Do të kemi kandidatin, ne do e mbështesim, partitë e tjera do e mbështesin ta supozojmë, por unë ftoj personalitete të këtij vendi, e këtij qyteti, të guxojnë sepse ne i mirëpresim absolutisht me shumë sinqeritet”, deklaroi pak ditë më parë Berisha.