Zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun po vazhdon të ulë vlerën e depozitave bankare, të shprehur në monedhën vendase.Sipas Bankës së Shqipërisë, në 12 muajt mes qershorit 2024 dhe qershorit 2025, efekti i kursit të këmbimit i tkurri depozitat në valutë të huaj me 43 miliardë lekë, ndërsa që nga fillimi i vitit efekti ishte gjithmonë negativ, në vlerën e 16 miliardë lekëve.I vlerësuar për dy vitet e fundit (qershor 2023-qershor 2025), efekti negativ i kursi të këmbimit mbi vlerën e depozitave, sipas Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 91 miliardë lekë.Banka e Shqipërisë vlerëson se baza e depozitave të mbajtura në sektorin bankar vijoi të zgjerohej me ritme të shpejta edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.Rritja e depozitave gjatë periudhës lidhet kryesisht me zgjerimin e llogarive rrjedhëse, depozitave me afat, depozitave të individëve dhe depozitave në monedhën vendase. Depozitat e bizneseve janë tkurrur lehtë gjatë 6-mujorit, ndërsa ato të sektorit publik dhe ato në valutë regjistruan rritje të moderuara. Struktura e depozitave nuk tregoi ndryshime të qenësishme.Vëllimi i depozitave sipas afatit është i shpërndarë në mënyrë pothuajse të barabartë midis llogarive rrjedhëse (43%) dhe depozitave me afat (44%), ndërsa depozitat e individëve dhe depozitat në valutë zënë përkatësisht 79% dhe 52% të stokut të përgjithshëm të depozitave.Në mesin e këtij vitit, depozitat arritën në nivelin e 1.722 trilionë lekëve, duke u rritur me 2.9% që nga fillimi i vitit dhe me 7.5% në terma vjetorë.Në krahasim me një vit më parë, depozitat në Lek u zgjeruan me 77 miliardë lekë (10%), ndërsa ato valutë dhe 44 miliardë lekë (5.2%).Për depozitat në Lek, rritja vjetore është përgjithësisht e shpërndarë në mënyrë të barabartëmidis dy gjashtëmujorëve, ndërsa depozitat në valutë shfaqin një sjellje të dukshme sezonale, duke u rritur më shumë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2025.Në mungesë të ndryshimeve në kursin e këmbimit, norma e rritjes së depozitave në valutë huaj do të ishte 9.1%. Me të njëjtin vlerësim, vetëm për depozitat në valutë, norma e rritjes vjetore do të ishte 8.2%.Segmenti i depozitave në Euro (duke përjashtuar ato në valuta të tjera) u rrit me 7.5% ndaj një viti më parë, ku kontributin e vetëm pozitiv e dhanë depozitat në Euro të individëve.Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë e kanë ngadalësuar rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek këtë vit, por pa arritur ta frenojnë plotësisht këtë rënie.Në fund të muajit qershor, monedha europiane këmbehej me 98.08 lekë, në rënie vjetore me 2.2%. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, kursi pësoi rënie të mëtejshme, duke shënuar një minimum të ri historik prej 96.78 lekësh në muajin shtator./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Zhvlerësimi i Euros e ka ulur vlerën e depozitave me 91 miliardë lekë në dy vitet e fundit
