Festivali “Skampa 2025” me 11 shfaqje, edicioni i 27-të mbyllet me komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”

Shfaqja “Çfarë pa kryeshërbëtorja” nga teatri i Elbasanit mbylli Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa”, që këtë vit shënoi edicionin e tij të 27-të. Përgjatë një jave, nën sloganin “Extension”/ “Zgjerim”,  në skenat e Elbasanit dhe të Tiranës u ngjitën 11 shfaqje nga 9 trupa artistike mes të cilave: trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe ai i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Po ashtu nuk munguan edhe workshop-et, ekspozitat fotografike dhe promovimi i librave mbi vlerat teatrore. Në mbyllje të festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe publikun elbasanas. “Për gjashtë ditë, qyteti ynë u mbush me energji, me art dhe me bashkëpunim ndërkombëtar.
Ky festival është tashmë një traditë që e bën Elbasanin pjesë të kalendarit kulturor ndërkombëtar”, tha ai. “Çfarë pa kryeshërbëtorja” që mbylli Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa”  është vepër e autorit Joe Orton e sjellë në skenë nga regjisori Kiço Londo. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” shënoi disa muaj më parë premierë në teatrin “Skampa”. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2025” u organizua nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Bashkisë së Elbasanit, si dhe me bashkëpunimin e Qendrës së Artit Elbasan, Ambasadës Greke në Shqipëri, Universitetit të Arteve, Teatrit “Metropol” – Qendra Kulturore Tirana, etj.