Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani në festivalin që e shndërron Korçën në skenën e muzikës frymore

Nga Julia Vrapi
Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani këtë tetor në qytetin Korçës, pjesë e një festivali ndërkombëtar. Ky festival për tre ditë do ta shndërrojë Korçën në skenën e muzikës frymore ndërkombëtare. Festivali ndërkombëtar i bandave frymore “AirBeat Korça Festival” nis më 24 tetor në qytetin e Korçës, si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore këtë sezon, ku veç koncerteve që pritet të zhvillohen përgjatë tre ditëve nuk do të mungojnë edhe master-class me artistë të njohur. Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë shprehet se “AirBeat Korça Festival” është më shumë se një koncert”. “24 – 26 tetor 2025 Korça shndërrohet në skenën e madhe të muzikës frymore ndërkombëtare! Për tre ditë rresht, qyteti do të pulsojë në ritmet e dhjetëra bandave frymore nga Shqipëria,
Evropa dhe Ballkani, duke sjellë tinguj, energji dhe emocione pa kufij. AirBeat Korça Festival është më shumë se një koncert – është një festë e madhe muzikore dhe kulturore, e lidhur me ditën e çlirimit të qytetit tonë, dhe nder të dirigjentit të parë Thoma Nasi”, thuhet në materialin e Qendrës së Artit dhe Kulturës Korçë. E frymëzuar nga tradita e orkestrave të famshme si “Banda Liria” dhe “Banda Vatra”, kjo ngjarje sjell bashkim të brezave dhe e çon trashëgiminë tonë në një skenë ndërkombëtare.
“Një homazh i veçantë i kushtohet mjeshtrit të madh Novruz Nure( Lulushi)  pasuria e të cilit kulturore dhe artistike mbetet frymëzim për brezat që vijnë. AirBeat Korça Festival #luluFEST- aty ku historia, muzika dhe arti frymor bashkohen në një spektakël të paharrueshëm!”, thuhet në materialin e festivalit. “Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Sipas materialit nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë bëhet me dije se iniciatorë të themelimit të saj u bënë drejtuesit e klubit “Dituria Shqip” në Korçë. Ndërsa banda “Vatra” është krijuar më 1912 nga patriotët shqiptarë të Drenovës, Dardhës dhe Korçës të vendosur në USA.
Master-class nga artistë të njohur në festival
Festivali këtë tetor vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive të tjera kulturore që janë zhvilluar në këtë qytet, ku për tre ditë me radhë rrugët dhe sheshet e qytetit do të mbushen me tingujt e bandave muzikore. Ilir Gjoka, pedagogu i Oboes do të mbajë master-class pranë Qendrës së Artit në Korçë  në kuadër të “AirBeat Festival”. Ilir Gjoka është aktivizuar si solist koncertist ku shquhet interpretimi për herë të parë i disa veprave të muzikës shqiptare për oboe solo,të asambleve të ndryshme kamertale, si dhe të repertorit botëror të instrumentit të oboes. Ilir Gjoka gjatë gjithë kohës ka kontribuar me pasion në sferën pedagogjike duke qenë specialisti më i kualifikuar i profesoratit në specialitetin përkatës e më gjerë.
Elvis Rudi, një prej flautistëve më në zë të brezit të tij, e që kombinon karrierën artistike me punën si pedagog gjithashtu do të mbajë master-class në kuadër të “AirBeat Festival” në Korçë. Ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Anëtar i ansamblit kontemporan “Asmus”. Orkestra e TOB-it ( flaut i parë), Orkestra e RTSH ( solist), Trio e Konservatorit të Biel- Bienne ; Kuinteti “Çesk Zadeja”, Kuinteti i Universitetit të Arteve. Shkumbin Bajraktari që është një nga emrat më të njohur në fushën e muzikës klasike në Kosovë, me një karrierë të gjatë dhe të pasur si pedagog, performues dhe themelues i institucioneve muzikore një tjetër artist, që do të mbajë master-class në ditët e festivalit në Korçë. Shkumbin Bajraktari është klarinetist solist në Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës.