Zgjedhjet në Tiranë/ Çfarë ndodh nëse GJK rrëzon shkarkimin e Veliajt? Ja si përgjigjet Celibashi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka sqaruar hapat që do të ndiqen në rast se Gjykata Kushtetuese shpall të paligjshëm shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ai theksoi se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për pezullimin e zgjedhjeve, ato nuk do të zhvillohen. Ndërsa, nëse vendimi është për shpallje të pavlefshme, atëherë zgjedhjet do të përsëriten.
“Nëse vendos pezullim, zgjedhjet nuk do të zhvillohen, nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen”, tha ai në “LOG”.
I ndalur te debati pasi Presidenti dekretoi shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki, Celibashi tha se KQZ nuk ka kompetencë për të gjykuar dekretin e tij dhe se i qëndron vetëm vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Celibashi: Jam në pozita për të mos gjykuar vendimin e Presidentit. Kemi dekretin e Presidentit që thotë që në 6 bashki do bëhen zgjedhje, në mënyrë kategorike KQZ nuk ka tagër për të gjykuar këtë qëndrim, se ndryshe do konkurronim më Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese, vendimet e saj janë të detyrueshëm të zbatohen nga të gjithë.
Nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme, zgjedhjet përsëriten. Ajo që di të them është se nëse ka një vendim të GJK për pezullimin e zgjedhjeve apo të shpallje së pavlefshme e angazhojnë KQZ, çdo vendimmarrje tjetër nuk e angazhon. Nëse vendos pezullim, zgjedhjet nuk do të zhvillohen, nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen. Çdo vendimmarrje tjetër nuk ka të bëj me KQZ.