40% e buxhetit për ushqime, familjet shqiptare varfërohen nga çmimet

“Në Shqipëri, çdo familje shpenzon mesatarisht rreth 93 mijë lekë në muaj, por ajo që bie më shumë në sy është fakti se 40% e këtij buxheti shkon vetëm për ushqime. Sa i takon nevojave të tjera, si arsim, argëtim apo kursime, mbetet shumë pak.Në çdo familje shqiptare, shporta e ushqimeve mbetet elementi më i rëndësishëm i buxhetit, sipas të dhënave të INSTAT. Produktet bazë si buka, vaji, qumështi dhe perimet marrin pothuajse gjysmën e të ardhurave mujore, ndërsa çmimet e këtyre artikujve janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit,” – shprehet gazetarja Ortensa Budlla.
Qytetarët shprehen se:
– Një ndihmë ekonomike marrim. Sa përqind e shumës që marrim shkon për ushqime? Pothuajse me borxhe. Çfarë të thotë xhaxhi, merr borxh, ti jep atij. Merr atij, jep tjetrit. Kur na bie ndonjë lek, paguajmë borxhet. Kur nuk na bie… kjo është Shqipëria.– Paratë për gjërat bazë mendoj, për ushqime. Me paga, Shqipëria është e vështirë. Është e habitshme, këtu janë çmimet më të shtrenjta sesa në vendet perëndimore. Jetojmë atje dhe është habi. Një qumësht fëmije, nëse unë në Berlin e marr me 1.40, këtu e marr 4 mijë lekë.– Për një njeri me rroga është e shtrenjtë. Në fund të muajit, ju arrini të kurseni diçka? Unë jam pensioniste, më ndihmojnë fëmijët nga jashtë. Për çfarë i shpenzoni më së shumti ato para? Për ushqime. Ça do bëjmë? Nuk tepron gjë për të tjera.
Sipas tyre, struktura aktuale tregon një ekonomi të brishtë, ku rritja e pagave nuk ka arritur të kompensojë koston e jetesës.
“Nëse e shohim shpërndarjen, Tirana, Durrësi dhe Korça tregojnë një nivel të tillë që kanë konsum të lartë. Kukësi, Dibra natyrisht, kanë ngelur në nivele shpenzimi të ulëta, që tregon një fuqi blerëse të ulët, të ardhura të pakta dhe, natyrisht, një qasje më të pakët në ato që janë shpenzime jo thelbësore. Shpenzimet pritet të rriten, dhe duhet një qasje më e shpejtë, qoftë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të bizneseve.
Në Tiranë, shpenzimet mujore janë edhe më të larta, mbi 108 mijë lekë, çka e bën jetesën në kryeqytet shumë më të kushtueshme krahasuar me zonat e tjera të vendit,” – shprehet Eduard Gjokuaj, ekspert ekonomie.
“Pjesa kryesore e popullatës së vendit është nga një e kaluar e varfër. Në sfidat e jetës urbane nënkuptohen dhe vështirësi që kanë të bëjnë me nevojën për të pasur një para mënjanë. Kostoja e lartë e jetesës nuk i ka lejuar familjet të mendojnë për nesër, por vetëm për sot për sot,” – shprehet Entela Binjaku, sociologe.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky trend vazhdon, hendeku midis shtresave të pasura dhe të varfra do të thellohet më tej.