PS zyrtarizon kandidatët për 5 bashkitë që shkojnë në zgjedhje të pjesshme! Surprizë Vlora, kandidon deputetja e re (EMRAT)

Kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar kandidaturat në të 6-ta bashkitë e vendit ku do të mbahen zgjedhje të parakohshme. 
Siç tashmë dihet, për Tiranën do të jetë Ogerta Manastirliu që do të kërkojë të drejtojë bashkinë e kryeqytetit.
Por surpriza ka ndodhur në Vlorë, ku në garën për kryetar të bashkisë socialistët kanë zgjedhur të kandidojnë një deputete. Fjala është për Brunilda Mersinin, deputete e re e Kuvendit që hyri në Parlament në zgjedhjet e 11 majit 2025. 
Në Tepelenë, kandidati i PS do të jetë Gramoz Sako, ish-kryetar i Gardës së Republikës, institucion prej nga u dorëhoq në shkurt 2024. 
Në Mat, PS do të kandidojë Altin Bojnin, kandidaturë që u propozua nga strukturat vendore të PS. 
Në Berat, kandidati i PS do të jetë Ervin Ceca, aktualisht kryetar i komanduar i kësaj bashkie detyrë të cilën e ka marrë më 13 mars pas dorëheqjes së Ervin Demos. 
Ndërsa në Cërrik kandidati i PS do të jetë Florenc Doka, i cili është kryetar i komanduar që prej emërimit të Andi Sallës si ministër në qeveri. 
Emrat e kandidatëve të PS-së në 6 bashkitë e vendit u prezantuan pas mbledhjes së sotme të kryesisë së PS, nga 5 drejtuesit e qarqeve ku ka zgjedhje, me përjashtim të Tiranës pasi Ogerta Manastirliu ishte zyrtarizuar ditë më parë. 
Mbledhja e sotme e Kryesisë së PS, që nisi në orën 18:00, zgjati vetëm 20 minuta. 
6 bashki të vendit do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme më 9 nëntor. 
Tirana është pa kryetar për shkak të arrestimit të Erion Veliajt, Ermal Dredha u dorëhoq papritur nga drejtimi i Vlorës, emërimi ministër i Andis Sallës la Cërrikun ka kryetar, dhe zgjedhja deputet e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, la gjithashtu vakancë në Bashkitë Berat, Tepelenë dhe Mat.