Mediat kolumbiane kanë zbardhur detaje të reja nga ekzekutimi i shqiptarit Artur Tushi. 44-vjeçari shqiptar u vra më 5 tetor nga një vrasës me pagesë në afërsi të banesës së tij në Medelin të Kolumbisë. Ndaj tij u qëllua me 11 plumba.
Autori i dyshuar i vrasjes, një 35-vjeçar venezuelian u arrestua 19 kilometra larg vendit të krimit.
Policia kolumbiane bëri me dije se killeri i shqiptarit ishte paguar në dollar gjë e cila ngre dyshime se krimi lidhet me përplasje kriminale ndërkombëtare në qytet.
Artur Tushi i njohur në Shqipëri me nofkën “Qoti”, është me origjinë nga fshati Raboshtë në Lezhë.
44-vjeçari shqiptar rezulton se në vitin 2017 gjatë kohës që jetonte dhe punonte në Itali është rrëmbyer. Ai u rrëmbye në zonën mes Fushë-Milotit dhe fshatrave pranë rrugës kombëtare Milot–Burrel, ndërsa po udhëtonte me makinën e tij, e cila më pas u braktis në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë Shqiptare, disa persona ndaluan automjetin e Tushit, i vendosën një qese në kokë dhe e çuan në një banesë, ku e mbajtën peng. Gjatë rrëmbimit, shqiptarit iu vodhën 200.000 lekë. Gjatë hetimeve për rrëmbimin, policia zbuloi se Tushi nuk kishte asnjë precedent penal as në Shqipëri dhe as në Itali.
Megjithatë, incidenti mendohet të ketë qenë i lidhur me aktivitete të paligjshme në të cilat ai ishte përfshirë jashtë vendit.
Ngjarja mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet kolumbiane, në bashkëpunim me Interpolin dhe agjencitë ligjzbatuese të disa vendeve, po përpiqen të zbardhin të gjitha detajet rreth kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës në Amerikën Latine./vizionplus.tv

Leave a Reply