Dekreti i Begajt për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, Celibashi mban qëndrim të prerë: KQZ nuk vlerëson…

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar sërish lidhur me dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit.
Gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, ku ishte i pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Celibashi u përball me kritika dhe akuza nga opozita për mënyrën si po trajtohet procesi.
Në përgjigje, Celibashi theksoi se KQZ nuk ka autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë e një dekreti presidencial.
Celibashi: KQZ është në pritje gjithmonë deri në momentin që del dekreti i presidentit. Në momentin që presidenti nxjerr dekretin, KQZ merret me procesin zgjedhor, nuk rri pas derës së presidentit dhe të pyesë ore ke ndonjë dekret tjetër. KQZ nuk është në autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit, por në kuptim të përgjegjësisë ka detyrimin për të përgatitur procesin zgjedhor.
Dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor pavarësisht ankimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij është kundërshtuar nga opozita, e cila pretendon se procesi është i nxituar dhe politikisht i njëanshëm.
Megjithatë, Celibashi u shpreh i prerë se institucioni që ai drejton do të zbatojë ligjin dhe do të përgatisë zgjedhjet në përputhje me detyrimet ligjore dhe kushtetuese.