Kroacia krijon një farmaci lundruese, e para e këtij lloji në Europë

Kroacia ka krijuar një farmaci inovative lundruese, e para e këtij lloji në të gjithë Europën, e cila ka nisur aktivitetin në arkipelagun e Zarës.Siç raporton Morski, farmacia e parë lundruese në gjithë Kroacinë është vënë zyrtarisht në funksion ditët e fundit në Zarë. Përdorimi i saj shënon fillimin e një faze të re të modernizimit të kujdesit parësor shëndetësor, me theks te përmirësimi i aksesit për banorët e ishujve dhe zonave bregdetare të largëta.Kroacia dhe krijimi i kësaj farmacie lundruese është një shembull i parë dhe unik i një farmacie të lëvizshme në det. Projekti është pjesë e një investimi më të gjerë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor, me vlerë tre milionë euro, i financuar nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndresës (NRRP) dhe buxheti i shtetit. Nisma u ndërmor nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me shtatë qarqe, ku Qarku i Zarës ishte i pari që vendosi në funksion një farmaci lundruese, ndërsa një tjetër pritet të mbërrijë deri në fund të shtatorit.Ceremonia e dorëzimit u ndoq nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Qarkut të Zarës dhe institucionit farmaceutik të qarkut, Ljekarna Zadar, të cilët theksuan rëndësinë e projektit për sigurimin e një kujdesi shëndetësor më të drejtë dhe të barabartë.“Ky projekt tregon konkretisht mënyrën se Fsi po punojmë për një akses më të barabartë në kujdesin farmaceutik. Farmacitë lundruese janë një përgjigje inovative ndaj nevojave të banorëve të ishujve, një kombinim i teknologjisë moderne, qasjes së qëndrueshme dhe kujdesit për komunitetin lokal. Në këtë mënyrë, qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë po forcojnë më tej rrjetin e kujdesit parësor dhe po garantojnë qasje të barabartë në ilaçe dhe këshillim profesional, pavarësisht vendbanimit”, – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë, dr. Irena Hrstić.Prefekti i Qarkut të Zarës, Josip Bilaver, theksoi se me mbërritjen e anijeve të tjera, ky qark do të jetë i pari dhe i vetmi në Kroaci, e me shumë gjasa edhe në Europë, me një shërbim të organizuar të shpërndarjes së barnave për ishujt.“Falë këtij projekti, banorët e arkipelagut të Zarës do të kenë akses shumë më të lehtë në barna dhe kujdes shëndetësor. Farmacia lundruese do të jetë në dispozicion të banorëve të ishujve gjatë gjithë kohës, sidomos për ata që jetojnë në ishuj ku nuk ka farmaci”, – deklaroi Bilaver.Vlera e dy anijeve arrin në gati dy milionë euro me TVSH dhe vlera e shtuar është fakti se janë prodhuar dhe pajisur plotësisht në Kroaci. Ato gjenerojnë ndjeshëm më pak emetime të gazrave serrë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e ndërtimit vendas të anijeve.“Jam shumë i lumtur që u bëmë pjesë e këtij projekti, i cili financohet nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndresës. Dua të falënderoj qeverinë kroate për mbështetjen dhe gjithashtu të përgëzoj kontraktorin. Jam i kënaqur që fondet e BE-së u përdorën nga një kompani kroate. Ky projekt do të ndihmojë realisht rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë kroate”, – shtoi prefekti.Pas miratimit të rregulloreve për përdorimin nga Ministria e Shëndetësisë, Ljekarna Zadar do të përgatisë një orar të shpërndarjes dhe do të hapë një tender për menaxhimin e anijes. Koncepti i farmacive lëvizëse është zbatuar tashmë në tokë, ku gjashtë automjete të specializuara ofrojnë shërbime farmaceutike në zona pa infrastrukturë të përhershme farmaceutike. Kroacia, duke shkuar një hap më tej me farmacinë lundruese, tregon kujdes të vërtetë për përmirësimin e jetës së banorëve të ishujve.Vëmendje e veçantë u është kushtuar komuniteteve me popullsi kryesisht të moshuar, të cilat kanë lidhje të dobëta transporti me qendrat urbane që ofrojnë më shumë shërbime shëndetësore. Farmacia e re lundruese është përshtatur sipas specifikave të rajonit Adriatik kroat, dhe ardhja e njësisë së dytë do të përmirësojë më tej furnizimin me barna si për banorët e ishujve, ashtu edhe për turistët.Vendosja në funksion e farmacive lundruese do të përmirësojë disponueshmërinë e barnave dhe shërbimeve farmaceutike për banorët e dymbëdhjetë ishujve të banuar të Ft të Zarës – Ist, Molat, Silba, Olib, Premuda, Zverinac, Iž, Rivnj, Sestrunj, Ošljak, Rava dhe Vrgada (1,554 banorë sipas Censit 2021) ku nuk ka farmaci ose depo farmaceutike, si dhe për turistët gjatë sezonit veror.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.