Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur të pezullojë të gjitha proceset gjyqësore gjatë kësaj të marte, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, përjashtim nga pezullimi bëjnë vetëm masat e sigurisë, të cilat do të zhvillohen sipas afateve ligjore.
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se pezullimi i proceseve gjyqësore do të vazhdojë deri më datë 10 tetor, ndërsa aktiviteti normal pritet të rifillojë pas kësaj date.
Ky është informacioni më i fundit që vjen nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, pas vendimit për ndërprerjen e përkohshme të seancave gjyqësore.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka shprehur dhimbje të thellë dhe solidaritet me familjen, kolegët dhe mbarë trupën gjyqësore për humbjen tragjike të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Astrit Kalaja.
Në reagimin e gjykatës thuhet se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur gjithë sistemin e drejtësisë dhe shërben si kujtesë e dhimbshme për nevojën urgjente për të garantuar sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e çdo gjyqtari në ushtrimin e detyrës.
“Gjyqtarët janë në shërbim të shtetit të së drejtës dhe të qytetarëve, duke marrë çdo ditë vendime të vështira që kërkojnë integritet, guxim dhe përkushtim. Këto vlera kërkojnë respekt dhe mbështetje nga institucionet dhe nga shoqëria, jo cenim apo rrezikim”, thuhet në deklaratë.
Gjykata thekson gjithashtu se shteti ka detyrimin moral dhe ligjor për të krijuar kushte të sigurta për ushtrimin e detyrës së gjyqtarit, në mënyrë që ai të veprojë i pavarur dhe i mbrojtur nga çdo formë presioni apo kërcënimi.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit dhe kolegëve të tij për këtë humbje të rëndë.
Sistemi i drejtësisë në zi, Gjykata e Vlorës pezullon të gjitha proceset gjyqësore pas vrasjes së Kalasë
