Tronditet Tirana, vritet gjyqtari Astrit Kalaja, plumbat kapin edhe babë e bir, dështojnë tërësisht masat e sigurisë…

Tirana u trondit pasditen e djeshme nga vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës. Gjyqtari Astrit Kalaja, me një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë, ishte në krye të detyrës, duke shqyrtuar një çështje pronash, kur një nga personat palë në proces ka qëlluar me armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë që ishin në gjyq. Fatkeqësisht, gjyqtari Kalaja nuk i ka mbijetuar dot plagëve dhe ka humbur jetën brenda në sallën e gjyqit. Të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan autorin e dyshuar Elvis Shkambi, 30 vjeç, duke i sekuestruar edhe armën e krimit “Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).   Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, informoi Policia e Tiranës.
Dinamika e ngjarjes
Gjyqi për çështjen e pronave nisi rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme. Seanca në Apelin e Tiranës zgjati për rreth 1 orë e gjysmë, ndërsa rreth orës 15:40, gjyqtari shpalli vendimin. Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, humbi gjyqin, pasi gjyqtari Kalaja vendosi në favor të palës tjetër. Autori i cili ka qenë me armë me vete në sallën e gjyqit, duket qartë se e kishte një plan të mirëmenduar, dhe sapo është shpallur vendimi ka qëlluar më armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë. Ky i fundit menjëherë armën ia ka dhënë rojës së sigurisë së gjykatës. Pas kësaj, autori ka dalë te dera e gjykatës ku i ka thënë patrullës së policisë që “unë jam autori”. 3 plumba e kapën gjyqtarin, 2 në kraharor dhe 1 në bark.
Dështim i masave të sigurisë
31-vjeçari Shkambi ka pranuar tashmë autorësinë e krimit, ndërsa mbetet e paqartë se si arriti që të futej brenda në sallë i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ruhet nga polici private dhe jo nga Policia e Shtetit. Dyshohet se nuk kanë funksionuar detektorët metalikë, duke mos kapur armën, që tashmë është sekuestruar nga policia. Para një viti në një nga proceset gjyqësore, pala humbëse kërcënoi me jetë trupën e gjykatësve. Çështja i kaloi organeve të drejtësisë dhe policia premtoi forcim të masave të sigurisë, por pa bërë asgjë konkrete.
Sherri për pronën, motiv i vrasjes
Në vitin 1992, 31 familje në lagjen Skënderbeg në Shkodër, me vendim të Bashkisë së Shkodrës, u vendosën në godinën e ish-shkollës së Rezervave të Ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore, ndërsa Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit, pretendonte se ishte pronar i godinës. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false. Çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Përballjen me këto familje, Gjon Shkambi e ka fituar edhe në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në vitin 2024 e fitoi çështjen edhe në Apel. Çështja tani ishte në Apelin e Tiranës, i vetmi në gjithë territorin e Shqipërisë. Ajo u ridërgua sërish në Apel nga familjet që kundërshtonin të lironin godinën. Kurtaj bashkë me 12 familje të tjera kishin paditur Zyrën e Përmbarimit të Shkodrës, dhe Gjon Shkambi, i cili pretendon edhe pronësinë e godinës ishte palë në këtë çështje.
31 familjet që fituan çështjen fajësojnë shtetin
Gjithashtu familjet banuese në ish-Shkollën e Rezervave të Shkodrës kanë reaguar dje për mediat pas ngjarjes tronditëse. Aktualisht banues në atë godinë, janë 31 familje të zhvendosura me banim aty që prej vitit 1993 me vendim të Bashkisë së Shkodrës. Banorët e zonës tregojnë se kjo pronë ka qenë e shtetit dhe ish-kryebashkiaku Lorenc Luka ia ka kaluar në pronësi Gjon Shkambit pa një vendim të firmosur nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012. Ndër të tjera ata tregojnë se janë kërcënuar vitin e kaluar nga Gjon Shkambi, i cili u ka shkuar banorëve i armatosur për t’i nxjerrë jashtë nga godina. “Ne na ka strehuar bashkia në ’93. Kemi ndenjur, e më pas në 2012 kanë ardhur Shkambi kanë thënë është ndërtesa ime.
Na kanë nxjerrë nëpër gjyqe, kemi punuar e kemi derdhur para për këtë ndërtesë. Tani na kanë bërë presion që të lëshojmë shtëpinë. Kemi nejtur në tension, fajet i ka bashkia që na ka dhënë ne e më pas ia ka shitur edhe atij. Ne na e ka dhënë e më pas atij ia ka shitur. Njehemi shumë keq, më zi nuk ka më. Më mirë kishim dalë në rrugë të madhe se sa të kishin vrarë gjyqtarin. Më mirë të na kishin vrarë ne”, tha njëri prej banorëve në konflikt me Shkambajt. Për banorët, përgjegjësi kryesor për këtë ngjarje fatale është Lorenc Luka, i cili me firmën e tij i ka kaluar familjes Shkambi pronësinë e godinave shtetërore. Sipas tyre, Gjon Shkambi disponon vetëm dokumente false pasi nuk ka asnjë akt trashëgimie nga paraardhësit e tij që të vërtetojë pretendimet e Gjon Shkambit.