Aktivistja e njohur shqiptaro amerikane, Evi Kokalari ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion dhe abuzime me pronat e qytetarëve shqiptarë, duke bërë thirrje për rrëzimin e tij si kryetar i PD-së. Në një reagim publik, Kokalari foli edhe për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, duke e lidhur ngjarjen me krizën e thellë të drejtësisë në vend. Ajo akuzoi si Berishën ashtu edhe kryeministrin Edi Rama se kanë mbajtur peng kthimin e pronave tek qytetarët që i zotërojnë me tapi. Sipas saj, rastet si ai i Gjon Shkambit janë dëshmi e vjedhjes sistematike të pronës private në Shqipëri nga regjimet e pas ‘90-ës. Kokalari theksoi se “mëshira për fajtorët është mizori për të pafajshmit”, duke kërkuar drejtësi për qytetarët e dëmtuar. Ajo shtoi se revolucioni nuk duhet të drejtohet kundër sistemit të drejtësisë, por ndaj qeverisë Rama dhe klanit të Berishës që, sipas saj, mbajnë peng opozitën dhe mazhorancën.
“Mëshira për fajtorët është mizori për të pafajshmit.’ – Adam Smith (Filozof Skocez). Rasti i Gjon Shkambit sot në Gjykatën e Apelit, është pasojë e vjedhjes masive të pronës private që i është bërë shqiptarëve, jo vetëm nga regjimi komunist por dhe regjimi post-komunist, ku Sali Berisha i pari dhe Edi Rama i dyti, nuk kthejnë pronat atyre që ju takon me tapi. Në fakt, revolucioni nuk duhet të jetë kurrë kundër sistemit të drejtësisë, por qeverisë së Ramës dhe atyre që mbajnë peng opozitën – klanit të Berishës. E ndava atë shprehje të Adam Smith, sepse realisht mendoj që viktima e vërtet është Gjon Shkambi që paska shumë vite që mundohet të marrë pronat dhe ne të gjithë kemi dështuar të ndihmojmë të pafajshmit, duke mbajtur në krye të qeverisë fajtorët. Nuk duhet të kemi asnjë mëshirë ndaj fajtorëve, asnjë, ndryshe i kemi hyrë në hak të pafajshmit, që është populli i super vjedhur dhe i shkatërruar. Gjithsesi, kjo betejë nuk fitohet duke qëlluar gjyqtarët. Për këtë Gjon Shkambi duhet të ballafaqohet me drejtësinë, por historia e tij nxjerrë në pah një problem shumë më të thellë – dëshpërimin e popullit të vjedhur nga prona private”, shkroi dje Kokalari.
Prapaskenat e pushtetit, Shkëlzeni dhe Argita dhe fondet që nuk u shpjeguan
Ndërkohë në një tjetër reagim në rrjetet sociale, aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka bërë një deklaratë tronditëse ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar për korrupsion masiv, manipulim politik dhe shkatërrimin e pronës private të shqiptarëve. Ajo e lidh direkt vdekjen e gjykatësit Astrit Kalaja dhe rastin e Gjon Shkambit me “trashëgiminë politike të turpit” që sipas saj ka lënë Berisha. Kokalari thekson se Berisha, Meta dhe Rama kanë mbajtur peng opozitën dhe kanë zhgënjyer diasporën, ndërsa denoncon fondet e errëta të lëvizjeve pseudo-konservatore. Sipas saj, brezat e ardhshëm do të vuajnë pasojat e kësaj politike të dështuar dhe asnjë nga fajtorët nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. “Sali Berisha, këtë djalin që nxore në fushatë me Lapajn në Mars të 2023 se të trembi fakti që të thashë do dal veç po nxjerrë tashti në garë të bashkisë? Dhe ja kështu dhe ti dhe Meta nxorët kokën.
Në atë kohë gjithashtu i dhe dritë jeshile pseudo-konservatorëve që i përdor si leckë, të bënin ‘konferencën’ e tyre, dhe ata e bënë, super të eksituar duke menduar se ‘konservatorizmin’ do e mbanin si medalje, dhe prapë s’kuptojnë pse nuk iu ngjit si etiketim. Përgjigja është ‘hipokrizia;. Dhe LaCivita nuk pati efektin që pata unë pranë teje, sepse sërish, ky popull nuk është budallë, paçka që ty të duket vetja gjeni që mund ti gënjesh. Apo janë injorantët si Peka dhe Shkëlzen naivi që mendojnë se këto do t’ia ushqeni akoma publikut? Nejse, të paktën tashti vërtetuam burimin e fondeve që Binajn, Lapajn dhe Çepanin kishin kur nisën këtë lëvizje por refuzonin të na e tregonin. 45,000 euro paradhënie për zyrat, 70,000 euro+ udhëtimet në SHBA dhe Europë për diasporën, a thua se do merrni dhe atë mbështetje prej meje. Diaspora nuk gënjehet aq kollaj. Lapaj një vend në Parlament e kapi. Unë u largova në atë kohë sepse jam aq e zgjuar sa mos të lë veten të konsumohem nga llumi yt dhe i Metës, por një pyetje kam: Ato sanksionet që nuk t’u hoqën, dhe pse le 6 million dollarë në tavolinë, e ke menduar ndonjëherë pse?
Ai është dëmi më i madh që të është bërë ty dhe familjes tënde, dhe ai dëm do të thellohet, sepse atë përdhunim që kam parë t’i bëni atij vendi, më është kthyer në mision jete. Brezat e tu të ardhshëm do e vuajnë këtë, ja ashtu siç vuajtën brezat e atyre që u persekutuan nga komunistët sepse donin të shpëtonin Shqipërinë, dhe pastaj ranë në kurthin tënd dhe të besuan të ardhmen por ja shkatërrove totalisht. Ja, ashtu siç shkatërrove Gjon Shkambin dhe të ndjerin gjykatës që humbi jetën sot. Ti je fajtor i drejtpërdrejtë, ndërkohë yt bir po ndërton në një nga tokat më me vlerë në Tiranë – Pallati Kulturës, që nuk është as tokë e tij, por ja mundësove ti kur ishe President në 1992-1997!! Nëse ti mendon që një ditë ajo nuk do ti merret, gabim shumë je.
Dhe Shkëlzeni dhe Argita do t’i paguajnë këto. Ju të gjithë do paguani, dhe këtu fus dhe Ramën dhe Metën. Këtë beteje ti se ke fituar fare. E vetmja fitore e jotja do të ishte të dilje nga loja vjet, kur të thashë ta bëje, mbasi fitoi Trump, dhe të më lije të futesha në garë kundër Ramës. Do e kisha fituar pa qenë nevoja të sillja gjithë Latifët e Trumpit në Tiranë. Dhe ti, mund të vazhdoje me ata që të zhvatën siç duhej atë 6 milion dollarshin, e ndoshta dhe mund të ti kishin hequr sanksionet, por ta kam thënë, të zgjuar nuk jeni. Dinak po. Por finesë, finokëri dhe zgjuarsi NUK keni, ndryshe do ti kishit zgjidhur problemet tuaja me kohë. Vdekja e gjykatësit dhe kjo ngjarje tronditëse, bie direkt mbi ty vetë, dhe ligjin 7501 me të cilin zhvatët një popull të tërë. Ja, kjo është trashëgimia jote politike. Çfarë turpi”, nënvizoi dje Kokalari në rrjetet sociale. Shënim: Cilido prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Evi Kokalari akuzon Sali Berishën se ka bërë korrupsion dhe batërdi me pronat e shqiptarëve, thirrje qytetarëve…
