Izraeli ka dëbuar 171 aktivistë të “Global Sumud Flotilla” – mes tyre edhe aktivisten e njohur suedeze Greta Thunberg – pasi anijet me ndihma humanitare që po shkonin drejt Rripit të Gazës u ndaluan dhe u sekuestruan nga autoritetet izraelite.
Sipas njoftimeve zyrtare të Izraelit, të konfirmuara edhe nga burime diplomatike evropiane, aktivistët u riatdhesuan sot në Greqi dhe Sllovaki me fluturime të organizuara nga qeveritë e vendeve të tyre.
Operacioni pason sulmin e marinës izraelite më 1 tetor ndaj flotiljes civile që transportonte ilaçe dhe ndihma bazë për popullsinë e Gazës. Pas sekuestrimit të anijeve, aktivistët u mbajtën në paraburgim dhe u morën në pyetje për disa ditë.
Në mesin e 171 personave të dëbuar, 27 janë shtetas grekë, të cilët po kthehen në Athinë me një fluturim humanitar të koordinuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Anëtarë të tjerë të ekuipazhit dhe vullnetarë ndërkombëtarë janë transferuar në Sllovaki.
Në një mesazh të shpërndarë nga stafi i saj, Greta Thunberg deklaroi se misioni kishte për qëllim vetëm dorëzimin e ndihmave civile dhe tërheqjen e vëmendjes mbi krizën humanitare në Gaza, duke përsëritur thirrjen për një reagim ndërkombëtar përballë shkeljeve të së drejtës humanitare.
Izraeli dëbon Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë drejt Greqisë dhe Sllovakisë
