Vepra “Hijet e natës” nga autori Vedat Kokona është shfaqja e parë e teatrit “Bylis”. Shfaqja e parë e teatrit “Bylis” u dha në 1 tetor të vitit 1971. Përmes një materiali teatri i Fierit sjell në vëmendje shfaqjen e parë. “Në 1 tetor të vitit 1971 nisi aktivitetin e tij teatri “Bylis”, trupa profesioniste e të cilit ishte krijuar disa muaj më parë. Në skenën e tij do të shfaqej në këtë ditë, pjesa e parë dramatike, “Hijet e natës” e autorit Vedat Kokona”, thuhet nga teatri “Byls” i Fierit që ka ndarë dhe disa foto në faqen e tij. Në materialin e teatrit bëhet me dije se shfaqja u vu në skenë atë kohë nga regjisori Leka Bungo nën interpretimin e aktorëve Leonard Poro, Fitenete Tiço, Imelda Kiri, Shpëtim Shehu, Kujtim Jorgaqi, Suzana Prifti, Hatiqet Siqeca, Nestor Pogaçe, Koço Papadhopulli dhe Antigona Golemi. Ndërsa skenografia u përgatit nga Agim Zajmi.
“Një kronikë të zgjeruar të kësaj drame do ta pasqyronte edhe shtypi lokal i kohës si një ngjarje e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore e qytetit të Fierit. “Hijet e natës” në skenën e teatrit tonë të ri” do ta titullonte reportazhin e saj gazeta “Drapër e Çekan”, e datës 6 tetor 1971”, thuhet nga teatri “Bylis” i qytetit të Fierit. Pas premierës së shfaqur në Fier, do të zhvillohej edhe turneu i parë i kësaj trupe në disa qytete të Shqipërisë, e cila shumë shpejt do të shndërrohej në një ndër më të njohura të vendit. Teatri “Bylis” ndër vite ka vijuar aktivitetin artistik, duke sjellë në skenë shfaqje të ndryshme teatrore, si dhe është një ndër institucionet e rëndësishme kulturore në këtë qytet.
“Hijet e natës” nga Vedat Kokona, që u vu në skenë më 1 tetor 1971 shfaqja e parë e teatrit “Bylis”
