Mblidhet komisioni i përhershëm i arteve, një konferencë mbarëkombëtare për muzikën shqiptare

Nga Julia Vrapi
Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim dhe edukim artistik do të jenë pjesë e një konferencë mbarëkombëtare. Konferenca mbi muzikën shqiptare pritet që të trajtojë një sërë çështjesh, ndërsa është edhe një nga veprimtaritë e rëndësishme në vijim. Kjo konferencë është një iniciativë e komisionit të përhershëm të arteve pranë Akademia e Shkencave. Këto ditë komisioni i përhershëm i arteve, nën drejtimin e kryetarit akademik Vasil S. Tole, zhvilloi një mbledhje me pjesëmarrjen e anëtarëve Altin Basha, Suzana Varvarica-Kuka, akademik Stefan Çapaliku, Belfjore Qose, Namik Dokle, Arben Llozi, Denis Bizhga dhe Abigeila Voshtina. Gjatë takimit, anëtarët e komisionit të përhershëm të arteve u njohën me programin e konferencës mbarëkombëtare të muzikës “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim dhe edukim artistik”.
ASH shprehet se veprimtaria që është një iniciativë e komisionit të përhershëm të arteve do të zhvillohet në kuadër të muajit të letërsisë dhe arteve dhe organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimit të Arteve, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Prishtinës, Liceun Artistik “Jordan Misja”, Orkestrën Simfonike të RTSH-së, AKKSHI-n, ASCAL-in dhe Qendrën e Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes. Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes sipas akademisë, ishte pasurimi i Komisionit  të Përhershëm të Arteve me anëtarë të rinj. “Gjithashtu, u diskutua për përfshirjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm, veçanërisht shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit, në fusha, si: muzika, letërsia, kinematografia dhe artet pamore. Komisioni shprehu miratimin për emrat e propozuar dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe promovimit të talenteve shqiptare”, thuhet nga ASH. Komisioni i përhershëm i arteve pranë ASH u krijua në vitin 2024 dhe mbledhja këto ditë erdhi në vijim dhe të atyre më parë, që kanë bërë anëtarët e tij.
Krijimi i komisionit për artet
Pas bashkimit të instituteve të albanologjisë me Akademinë e Shkencave, ky komision u dedikohet vetëm arteve shqiptare. Kryesia e ASH në shkurt 20204 vendosi ngritjen e komisioneve të reja të përhershme, ku një prej tyre është dhe komisioni i arteve. Komisioni ka për detyrë të bashkëpunojë me seksionet në realizimin e aktiviteteve të programuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë; të ndjekë posaçërisht zhvillimet në shkencë e kërkim shkencor brenda dhe jashtë vendit, në fushën përkatëse, me qëllim dhënien e mendimeve dhe paraqitjen e propozimeve të argumentuara, për përcaktimin e drejtë të zhvillimit, evidentimin e problematikave, ngritjen e njësive të kërkim-studimit apo komisioneve të posaçme. Komisioni i arteve në ASH ka për detyrë të hartojë raporte, oponenca apo ekspertiza të kërkuara pranë kryesisë apo seksionit; të propozojë organizimin e aktiviteteve shkencore, etj. Në datën 12 korrik 2024 u mbajt dhe mbledhja e parë e komisionit të përhershëm të arteve pranë Akademisë së Shkencave.