Nina Muho: “La Traviata” e Verdit sfidë dhe emocion për dy mbrëmje rresht

Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violettës dhe Alfredos, në operën “La Traviata” të kompozitorit italian Giuseppe Verdit. “La Traviata” këtë sezon artistik u shfaq në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku në qendër të saj qëndron historia prekëse e Violettës, që sfidoi normat e kohës dhe guxoi të jetojë dashurinë e saj deri në fund. Në dy mbrëmje me radhë ky rol në skenë u interpretua nga sopranoja Nina Muho, duke përcjellë emocione te publiku. Në intervistën për gazetën “SOT” sopranoja e njohur Nina Muho flet për rolin me të cilin këtë herë u ngjit në skenën e Operës në Tiranë, por ndalet dhe tek aktiviteti i saj artistik në skenën ndërkombëtare.
Opera e Verdit me libret të Francesco Matia Piave, e bazuar në librin e Alexandre Duma  “Zonja me kamelie” u shfaq në katër mbrëmje në TKOB, ku në datat 28 dhe 29 në skenë Nina Muho realizoi rolin  e Violettës. Tek “La Traviata” ishte një tjetër performancë  e saj që u vlerësua nga publiku, por sopranoja thotë se të interpretosh rolin Violetta Valery në këtë vepër është përgjegjësi shumë e madhe. Ajo performoi në këtë opera në Tiranë pas operës së Zagrebit tre vjet më parë dhe thotë se Violetta bën pjesë tek kryerolet për një soprano. Një sërë rolesh në veprat operistike janë interpretuar nga sopranoja Nina Muho, e cila tashmë ka ndërtuar një aktivitet të spikatur artistik, por siç tregon dhe vetë përgjatë kësaj interviste edhe vështirësitë nuk kanë munguar. Si soprano Nina Muho në vitin 2018  interpretoi për herë të parë rolin e Violettës në operën “La Traviata”, për të vijuar më pas me role si Mimi në “La Boheme”, Rosalinda në “Die Fledermaus”, Micaela në “Carmen”, Adina në “E’lisir Dámore”, etj.
-Në sezonin e ri artistik u ngjitët në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me rolin Violetta Valery në operën “La Traviata”, një kryevepër e kompozitorit italian Giuseppe Verdi. Ju këtë rol e keni interpretuar edhe më parë, çfarë ju ka falur në skenën operistike?
Të interpretosh operën “La Traviata” në rolin e Violetta Valerý është përgjegjësi shumë e madhe. Ajo që më ka falur përherë kjo vepër janë duartrokitjet dhe dashuria e publikut, sepse në këtë vepër mishërohen emocione të thella njerëzore të shkruara me mjeshtëri nga kompozitori Giuseppe Verdi. Emocione që publiku mezi pret të na shohë sërish me këtë vepër, ndoshta dhe vepra më popullore e repertorit operistik botëror. Por performanca jonë do të ishte e cunguar nëse nuk do të kishte një produksion kryevepër si ky i Hugo de Ana.
Bën pjesë tek kryerolet për një soprano, e cila kërkon tre ngjyra vokali, në aktin e parë soprano leggero, në aktin e dytë soprano lirike dhe akti i tretë kërkon fuqi shprehëse dramatike të përshtatur në vokal, por edhe në interpretimin aktorial. Përshtatshmëria e vokalit tim për këtë vepër ka bërë të mundur që të më kërkojnë për ta interpretuar edhe në skena internacionale. Këtë herë, ajo që solla ndryshe ishte e gjithë eksperienca e interpretimeve të mia e mishëruar në skenë. Siguria skenike dhe profesionalizmi i lartë i dirigjentit Francesco Ommassini, asistent regjisor Luca Barachini, tenorët në rolin e Alfredos- Oreste Cosimo dhe Mario Rojas, baritonët në rolin e Giorgio Germont- Solen Alla dhe Armando Likaj më kanë ndihmuar që niveli i interpretimit të shfaqjes të ishte i një niveli të lartë dhe kjo u reflektua nga duartrokitjet me ovacione të publikut.
-Opera  “La Traviata” e Verdit është vënë në shumë skena të botës dhe është mirëpritur, çfarë përfaqëson për ju si soprano në veprat operistike?
Për mua përfaqëson “Mundësinë që më hapi dyert për të qenë në skenë”. Mua mu bë një telefonatë për këtë vepër nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për të zëvendësuar një kolege, që ishte e sëmurë dhe më duhet të dilja në skenë pa prova. Nga ai moment m’u dha mundësia e mohuar prej vitesh për të qenë soliste në vendin tim. Ndërsa në veprat operistike vazhdon të jetë vepra ime e preferuar edhe pse gjithmonë sfiduese për kërkesat që ka në vetvete teknikisht!

-Ju jeni soprano e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe këtë rol e keni interpretuar dhe në skena të tjera. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi veprën këtë herë si produksion i TKOB nën regjinë e Hugo de Ana, ajo që solli ndryshe?
Ky është produksioni i nëntë i kësaj opere që vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në gjithë historinë e tij, ku për herë të parë rolin e Violetta Valery e ka performuar Marie Kraja. Mund të them se është produksioni më i bukur që mund të ketë ardhur në TKOB. Jam e lumtur që performova në Tiranë me të njëjtin produksion, pasi e kam performuar në operën Zagrebit 3 vjet më parë.
-Ju këtë rol e interpretuat dy mbrëmje me radhë në skenën e TKOB. Përballë ngarkesës që ka realizimi i këtij personazhi, sa është kjo e vështirë për një soprano?
Ky rol ka vështirësi të madhe teknike dhe intensiteti gjatë gjithë veprës nga fillimi deri në fund. Personazhi i Violettës është gjithë kohën në skenë me momente të vogla pushimi. Më ka ndodhur për herë të parë në Teatrin Giuseppe Verdi – Trieste të performoj dy shfaqje rresht, pasi kolegia u sëmurë dhe mund të them që ka vështirësi shumë të madhe. Gjithashtu këtë herë m’u desh të performoj sërish dy shfaqje rresht dhe jam e lumtur që përfunduan me sukses. Duartrokitjet e publikut, është gjithmonë ai që më jep forcë për të vazhduar, sakrifikuar dhe për t’ia dalë edhe në momente lodhjeje.
 -Ju sot jeni një nga zërat e vlerësuar të skenës operistike. Në vitin 2018  interpretuat për herë të parë rolin e Violettës në operën “La Traviata”, duke vijuar më pas me role si Mimi në “La Boheme”, Rosalinda në “Die Fledermaus”, Micaela në “Carmen”, Adina në “E’lisir Dámore”, etj. Kur hidhni vështrimin në fillimet tuaja e deri më sot, si ka qenë për ju ky rrugëtim artistik. Sa ka qenë e vështirë të ndërtosh një karrierë artistike për të arritur ku jeni sot, ku veç skenës shqiptare keni interpretime dhe në skenat e huaja?

Vështirësitë janë të tejskajshme. Por jam e bindur se sa më e madhe ëndrra po aq të mëdha edhe sfidat. Kur e nisa rrugën e këtij profesioni të bukur, por dhe shumë mistik, kisha në valixhen e shpirtit vetëm një element, bindjen dhe forcën se unë do të bëhesha artiste e skenave të mëdha. Por nuk e dija se çfarë rruge dhe sakrificash më prisnin. Jam e lumtur që instikti im nuk më zhgënjeu dhe shumë shpejt do të merrja konfirmim të vlerave të mia nga skena të rëndësishme ndërkombëtare. Shqipëria është këpucë e vogël për potencialin që unë kërkoj të zhvilloj, por kam pranuar të duroj dhimbjen e këpucës  për “dashurinë”, për familjen, gjuhën, traditën, tokën dhe gjithçka ka vendi im.
-Nga një vepër në tjetrën, cili është roli që do doje të riktheje sërish në skenë?
Opera “La Traviata” dhe “Don Pasquale” pasi janë e kundërta e njëra- tjetrës. Nuk preferoj vetëm vepra dramatike. Gjithashtu do të doja edhe operën “Don Carlo” ta performoja në   Shqipëri, pasi e kam performuar në Taiwan me një produksion të operës Liege në teatrin e operës Kaohsiung National Opera for the Art’s. Shpesh herë më mungojnë operat komike.
-Përveç performancave në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ju keni ushtruar aktivitetin edhe në skena ndërkombëtare si Teatro Giuseppe Verdi në Trieste, Masimo Bellini në Catania, Opera Maribor në Slloveni, Opera e Zagrebit, etj. Çfarë ju kanë sjellë këto bashkëpunime, si kanë ndikuar në aktivitetin artistik?
Profesionalizmi kryesisht në Itali është i një niveli shumë të lartë. Kam mësuar shumë nga këto eksperienca për mënyrën e komportimit dhe menaxhimit të skenës dhe deri tek marrëdhënia me koleget e trajtimi i veprës. Por kam shijuar edhe trajtimin që i bëhet artistit. Kjo është diçka shumë thelbësore që në Shqipëri nuk e kam patur.
-Pas “La Traviatës” në skenën e TKOB, çfarë mund të na thoni rreth aktivitetit tuaj artistik, si do të vijojë këtë sezon?
TKOB ka rritur shumë nivelin artistik të bashkëpunimeve. Në Shqipëri vijnë dirigjent, artist dhe produksione si ky i Traviatës të një niveli shumë të lartë, duke u krahasuar me më parë. Prandaj kam shpresë që ky standart i ri dhe cilësor së bashku me trupën tonë do ta çojë TKOB në nivele internacionale, ku Shqipëria mund të jetë atraksion edhe për këtë lloj arti elitar!
Intervistoi: Julia Vrapi