Raiffeisen Research: Rritja e pagës minimale do të ndikojë pozitivisht konsumin dhe PBB-në për 2026

Rritja e pagës minimale vitin e ardhshëm pritet t’i japë një impuls pozitiv ecurisë së konsumit privat dhe të ndikojë në ruajtjen e ritmeve të kënaqshme të rritjes për ekonominë shqiptare.Në analizën e fundit për Shqipërisë, Raiffeisen Research vlerëson se, pavarësisht rritjes pak më të ulët se pritshmëritë të ekonomisë shqiptare në tremujorin e dytë të vitit, projeksioni i rritjes ekonomike për këtë vit është rishikuar lehtësisht për lart, nga 3.5% në 3.6%.Përmirësimi i projeksionit është i lidhur kryesisht me rishikimin nga INSTAT të shifrave të rritjes së tremujorit të parë. INSTAT e rivlerësoi rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë nga 3.4% në 3.7%, çka e sjell rritjen ekonomike për 6-mujorin 2025 në nivele pak më të larta se matjet fillestare.Raiffeisen Research nënvizon se në tremujorin e dytë konsumi i sektorit publik shënoi një rritje të dukshme prej 12.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje, sipas Raiffesien Research, dëshmon efektet e rritjeve të fundit të pagave në sektorin publik. Megjithatë, pritet që pas tremujorit të tretë, kontributi i sektorit publik në rritje të jetë më i ulët, për shkak të zbehjes së efektit bazë të krahasimit.Nga ana tjetër, qeveria ka paralajmëruar rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë vitin e ardhshëm. Kjo lëvizje pritet të ndikojë pozitivisht konsumin privat në ekonomi.Në tremujorin e dytë 2025, konsumi privat u rrit me 3.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke reflektuar besimin e fortë të konsumatorëve dhe modelet e shpenzimeve midis familjeve.Formimi i Kapitalit Fiks Bruto gjithashtu kontribuoi pozitivisht, me një normë rritjeje prej 4.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje duket se është nxitur kryesisht nga performanca e sektorit të pasurive të paluajtshme. Statistikat tregojnë se struktura e kapitalit fiks në Shqipëri mbetet shumë e fokusuar në ndërtim dhe strehim.Eksportet shënuan një rritje modeste prej 1%, duke reflektuar një kërkesë të kujdesshme për mallrat shqiptare në tregjet ndërkombëtare, por edhe vijimësinë e ndikimit negativ të kursit të këmbimit.Megjithatë, importet u rritën me 3.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjë që, sipas Raiffeisen Research mund të sinjalizojë si ecurinë e mirë të besimit konsumator, ashtu edhe nevojën në rritje për mallra në mbështetje të sektorit të turizmit.Nga pikëpamja sektoriale, shifrat e deritanishme të 2025 tregojnë një ecuri të dobët të sektorëve prodhues të ekonomisë, me bujqësinë dhe industrinë që vijojnë serinë e rënies së prodhimit prej disa tremujorësh radhazi. Rritja u mbështet sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme dhe në një masë më të vogël nga sektorët e shërbimeve./ E.Shehu   Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.