Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh për Ditën Botërore të Mësuesve, teksa thotë se mësuesit shqiptarë kjo ditë i gjen në një realitet të vështirë.
Zhupa shkruan se gjendja financiare e mësuesve është e dobët dhe rroga e tyre nuk përputhet me përgjegjësitë që mbajnë. Më tej Zhupa shprehet se presioni politike dhe ndërhyrjet e padrejta cenojnë dinjitetin profesional të mësuesve.
“Në këtë 5 Tetor, Ditën Botërore të Mësuesve, dua të përulem me respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit në Shqipëri. Pavarësisht vështirësive, ata vazhdojnë të formojnë brezat me përkushtim, durim dhe idealizëm.
Fatkeqësisht, kjo ditë e rëndësishme i gjen mësuesit në një realitet të vështirë:
Gjendja e tyre financiare është e dobët, paga nuk përputhet me përgjegjësinë që mbajnë dhe kostot e jetesës që rriten çdo ditë.
Barrën e madhe të punëve jashtë orarit, që shpesh janë të papaguara, si plotësimi i dokumentacionit në SMIP, mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me prindër, përgatitja e planeve dhe analizave të pafundme etj e kanë kthyer rolin e mësuesit në një ngarkesë të jashtëzakonshme administrative.
Mungesa e kushteve të përshtatshme për mësimdhënie cilësore ku klasat janë të mbingarkuara, infrastruktura është e vjetëruar, dhe mungojnë mjetet bazë didaktike.
Mungesa e trajnimeve të rregullta dhe cilësore falas nga shteti, që do t’i ndihmonin të përmirësonin vazhdimisht metodat e tyre të mësimdhënies.
Presioni politik dhe ndërhyrjet e padrejta, që cënojnë dinjitetin profesional dhe pavarësinë e mësuesve, në vend që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për arsim cilësor.
Këto nuk janë thjesht halle të mësuesve, këto janë plagë të sistemit arsimor që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e edukimit të fëmijëve tanë dhe të ardhmen e vendit.
Respekti për mësuesin është themel i çdo shoqërie të zhvilluar. Pa mësues të vlerësuar, nuk ka arsim cilësor. Pa arsim cilësor, nuk ka të ardhme”, shkruan Zhupa.
“Presion politik dhe ndërhyrje të padrejta”/ Dita Botërore e Mësuesve, reagon deputetja: Mungesa e kushteve të…
