Aktori i njohur dhe aktivisti i shoqërisë civile, Florjan Binaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor. Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, ai e cilëson këtë një nismë qytetare, të pavarur nga partitë politike dhe të fokusuar tek nevojat reale të kryeqytetasve.
“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët, për qytetarët. Asnjë nga ne nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera për të parë ndryshimin,” u shpreh Binaj, duke theksuar se kandidatura e tij synon bashkimin e qytetarëve për një qëllim të përbashkët, përmirësimin e jetës në Tiranë dhe rikthimin e besimit tek institucioni i bashkisë.
Aktori i njohur fton qytetarët, intelektualët, si dhe partitë politike që “duan realisht ndryshimin”, të mbështesin nismën e tij, pavarësisht bindjeve apo ngjyrave politike. “Kryeqyteti nuk mund t’i shërbejë vetëm palës politike që e drejton,” shkruan ai.
Binaj, i cili prej 22 vitesh është i përfshirë në çështje me interes publik, deklaron se synon ta kthejë Bashkinë e Tiranës në një institucion në shërbim të komunitetit. Ai hyn në garë përballë Ogerta Manastirliut, kandidates së Partisë Socialiste, dhe Arlind Qorit nga Lëvizja Bashkë.
Florjan Binaj shpall kandidaturën për Kryetar Bashkie të Tiranës: Të majtë e të djathtë të më bashkohen
