E rëndë në Korçë, 14-vjeçarja hidhet nga kati i tretë dhe shpëton mrekullisht, dyshime se bullizohej!

Bullizmi shkaktoi sot tentativën e një 14-vjeçareje në Korçë për vetëvrasje. E mitura u hodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte, pasi nuk kishte përjetuar mirë talljen e disa bashkëmoshatarëve të saj për shoqërimin e të ëmës në komisariat.
Policia njofton se e mitura fatmirësisht është jashtë rrëzikut për jetën, ndërsa e ëma rrëfën pas kamerave shkakun e ngjarjes tronditëse dhe vështirësitë që po përjeton familja me 4 fëmijë.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi, mos të më bezdisin vajzat e mia. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak, dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lënë rehat”,- thotë nëna e vajzës jashtë kamerave.