IKMT ka nisur një aksion të dytë që mund të quhet edhe “Thethi 2.0” në zonën e njohur turistike. Gjatë orëve të para të ditës së sotme, mjetet e IKMT, të shoqëruar nga efektivë të Policisë së Shtetit, i janë drejtuar Thethit ku parashikohet të shemben rreth 35 ndërtime pa leje.
Ky aksion i dytë, pas atij që u zhvillua në kulmin e sezonit turistik veror, ka ngjallur reagimin publik, përmes një deklarate, të famullitarit të Kishës Katolike të zonës, Fra Kastriot Demaj OFM. Duke ju drejtuar qeverisë, ai shkruan:
E kam detyrim, nën shembullin e Famullitarve, që i kanë shërbyer zonës së Shalës dhe krejt Dukagjinit përgjatë shekujve, në luftë e në paqe, në gëzime e në hidhërime, të them fjalën time në lidhje me shkatërrimin e shtëpive dhe kasolleve të drurit në Theth në muajin korrik, e siç po përflitet, për një aksion të dytë shkatërrimi.Prandaj, si Famullitar i Thethit dhe i fshatrave të tjerë përreth (Nderlysaj, Breg- Lumi, Lekaj, Abat, Gimaj, Lotaj), bëj thirrje që të mos ndërmerret më asnji lloj aksioni për shkatërrim të kasolleve prej druri, të ndërtuara për mikëpritjen e turistave apo i shtëpive për banim. E në të njëjtën kohë bëj thirrje për pajisjen me dokumenta pronësie të shtëpiave dhe tokave, që kanë trashëguar banorët e Thethit dhe krejt Dukagjinit, prej t’Parëve të tyne, proçes që tashmë ka nisur dhe është në fazen fillestare. Eshtë e drejtë natyrore që çdokush që ka të trashëguar shtëpinë dhe tokën, të ketë edhe dokumentin përkates. Nëse një ligj pengon banorët e Thethit të mos pajisen me dokumenta pronësie, për shtëpitë dhe tokat e tyre, ai është një ligj që cenon të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, e si i tillë, nuk duhet të jetë. Alpet kanë bukurinë e vet, por më së pari jeta dhe dinjiteti i njeriut.Duke e përmbyllur këtë reagim, ju ftoj që fadromat t’i përdorni për me hapë rrugë e për të krijuar kushte të përshtashme për jetëse në Dukagjin, ashtu siç keni nisë të veproni, me rinovimin e rrugës që përshkon krejt Dukagjinin, duke filluar nga Prekali, e jo të bëni të njëjtin gabim, si në korrik, duke shkatërruar me fadroma shtëpitë dhe kasollet e drurit në Theth.Jepuni mundësinë banorve të Shalës dhe krejt Dukagjinit t’i rinovojnë shtëpijat e vjetra, të braktisura për shkak të kushteve të vështira të jetesës, sepse me ndërtimin e rrugës, banorët do të kenë mundësi të rikthehen në tokat e t’Parëve të tyre. E me ndërtimin e rrugës, edhe turizmi do të rritet në krejt zonen e Dukagjinit, pasi çdo fshat i Dukagjinit, ashtu si Thethi, ka bukurinë e vet, që do të shihet më qartë kur rruga të bëhet e përshtatshme për të gjitha mjetet automobilistike.Duke shpresuar që nuk do të bëhet edhe një herë gabimi i korrikut, pres një reagim pozitiv nga ana e autoriteve përgjegjëse.”, shkruan famullitari i Theth- Breg Lumi, Fra Kastriot Demaj OFM.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!
