Nga përtallja me arorët e Berishës te dronët e Ramës që do rilindin tokat e shkrumbuara

Vite më parë, kur qeveriste Berisha, opozita e atëhershme socialiste do përtallej me idenë e mbjelljes së arorëve, promvuar nga vetë lideri demokrat si inisiativë pyllëzimi dhe ekonomie bashkë. Sot, pasaradhësi i tij hedh idenë e mbjelljeve pyllëzuese me dron, si vijim i një sërë risish prej tyre që provokojnë reagime ironike në publik.
Në fakt ka qenë vetëm një fjali e vetme e thënë nga Rama në shpalosjen e një strategjie të re në betejën kundër zjarrëve.
“Kemi përgatitur dhe jemi duke u marrë përditë qoftë me porositjen e dronëve me kamera termike për të monitoruar në kohë reale pyjet dhe kapur sa më shpejt sinjalin e zjarrit, ashtu sikundër jemi duke vlerësuar porositë për dronët që bëjnë mbjellje. Ky element tjetër i rëndësishëm që mendojmë për ripërtëritjen e atyre që digjen nga zjarret”, tha kryeministri duke prezantuar kapitullin e ri të mbrojtjes civile përmes transformimit të forcës zjarrfikëse dhe inovacionit.
Dhe si për t’u vënë fre gjuhëve konspiratuve që thonë se zjarret e verës që lamë pas ishin të qëllimshme për arsye ndërtim, Rama tha:
“Ta kenë të qartë të gjithë se djegia nuk të sjell në kushtet që të thuash se nuk ka pemë aty dhe dua të ndërtoj. Për 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do rimbillet. Dhe për këtë jemi duke punuar me Ministrinë e Mbrojtjes për të sjellë edhe dronët mbjellës që janë forcë e re e teknologjisë që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura, gjë për të cilën është përfshirë edhe Ministria e Mjedisit drejtpërdrejt”, tha Rama.
Ai ceku dhe çështjen më të ndjeshme nga zjarret, dëmshpërblimin, duke premtuar:
“Ashtu sikundër e bëmë të qartë që në momentin e vetë përballjes me zjarret, angazhimi moral dhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë. Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti, do dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë”. /tesheshi.com/