Zjarret gjatë verës, Rama: Qeveria do dëmshpërblejë banesat dhe bagëtitë e humbura

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, ministër Shteti për Pushtetin Vendor, morën pjesë sot në aktivitetin për kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformitit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit.
Në fjalën e tij, Rama tha se të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme në banesa dhe bagëtitë nga zjarret e muajve të verës, do të dëmshpërblehen tërësisht.
Dëmshpërblimi i qytetarëve, thekson kryeministri,  do të bëhet përmes një akti normativ të qeverisë që do të dalë së shpejti.

Rama: Ashtu sikundër e bëmë të qartë që në momentin e vetë përballjes me zjarret, angazhimi moral dhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë. Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë, së shpejti, do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Të gjithë të mendojnë dhe të marrin masa për përfshirje në skemën e sigurimit të shtëpive për fatkeqësitë natyrore, do ta sanksionojmë edhe me ligj këtë.
Kemi mbetur i vetmi vend në Evropë që nuk e ka një ligj të tillë. Ka ardhur koha t’i bashkohemi vendeve të tjera duke u dhënë mundësi të gjithëve të jenë të siguruar nga fatkeqësitë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por edhe për sipërmarrjet, njësitë e bizneset që duhet të sigurohen edhe nga përmbytjet. Koha në të cilën jetojmë, në mbarë botën, në çdo pjesë të Evropës, është një kohë ku ndryshimet e klimës po sjellin gjithmonë e më shumë sfida të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, ku përfshihen përmbytjet dhe zjarret.
/vizionplus.tv