“International Dance Festival of Tirana” nën drejtimin artistik të Preljocajt, shfaqje dhe program në hapësira publike

Nga Julia Vrapi
Shfaqje premiera dhe evente të tjera janë pjesë e “International Dance Festival of Tirana” këtë vit që shënon edicionin e katërt. Festivali këtë tetor vjen me një program të pasur që bashkon figura të njohura të dancit bashkëkohor dhe një brez të ri koreografësh, duke vendosur gjuhë të ndryshme artistike krah njëra-tjetrës. “International Dance Festival of Tirana” do të zhvillohet nën drejtimin artistik të koreografit të njohur Angelin Preljocaj, me shfaqje në teatro, si dhe një program artistik në hapësirat publike në Tiranë. Për festivalin një ditë më parë u shpreh dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore. ““International Dance Festival of Tirana”, nën drejtimin artistik të Angelin Preljocaj, rikthehet për takimin e përvitshëm, ku nga data 9 deri më 25 tetor, kryeqyteti do të mirëpresë një nga ngjarjet e saj më të mëdha kulturore, me shfaqje ndërkombëtare në skenat kryesore të teatrit dhe një program falas në mbi 10 hapësira publike të qytetit. Për të mos u humbur!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. “International Dance Festival of Tirana” në edicionin e katërt të tij realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës (si bashkëprodhues), Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian përmes EU4Culture, Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ambasadën e Spanjës dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë. Sipas materialit në faqen e festivalit, “IDFT” do të zhvillohet në teatro dhe hapësira të qytetit, me 15 premiera dhe nëntë evente publike me hyrje të lirë.
G.U.I.D. i Ballet Preljocaj hap këtë vit edicionin e katërt të fesitvalit
G.U.I.D. i Ballet Preljocaj do të hapë këtë vit edicionin e katërt të “International Dance Festival of  Tirana” (IDFT) me shfaqje publike falas në vende të ndryshme të Tiranës më 9 dhe 10 tetor. Shfaqjet sipas materialeve rreth Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë do të mbahen në aeroport, një qendër komunitare, sheshin “Skënderbej” dhe Pazarin e Ri, ku G.U.I.D. takohet me audienca të ndryshme në hapësira të zakonshme të qytetit. “Me dy shfaqje çdo ditë, festivali nis këtë vit jo brenda teatrit, por në rrugë, sheshe dhe në jetën e përditshme të Tiranës”, thuhet për festivalin. “IDFT” vjen si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore këtë sezon sërish nën drejtimin artistik të Angelin Preljocajt, që radhitet ndër koreografët më të mirë në botë. Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix.