E drejta e autorit ka sjellë herë pas here reagime të krijuesve të ndryshëm, ku problemet në zbatimin e ligjit janë bërë me dije prej tyre. Por edhe në teatër e drejta e autorit është e rëndësishme për veprat skenike që vihen në skenë. Dramaturgu Odise Plaku thotë se autori i një teksti ruan të gjitha të drejtat mbi veprën e tij. Në intervistën për gazetën “SOT” dramaturgu Odise Plaku flet për rëndësinë që ka zbatimi i së drejtës së autorit në teatër dhe thotë se përdorimi i paligjshëm i një vepre shqiptare ka pasoja për autorin, ku çdo përdorim pa leje është si një humbje e dyfishtë financiarisht dhe artistikisht. Ai thotë se regjisorët apo dhe aktorët nuk mund ta cilësojnë si pronë të tyre një vepër teatrore dhe mund të kenë të drejta përdorimi të saj. Për dramaturgun Odise Plaku asnjë vepër skenike nuk mund të konsiderohet si mall pa zot dhe kur një kontratë për përdorimin e saj përfundon, çdo shfaqje e mëtejshme pa lejen e autorit konsiderohet shkelje e të drejtave të tij. Ndaj sipas tij nëse një teatër apo trupë dëshiron ta rikthejë një tekst në skenë, duhet të negociojë sërish me autorin ose me përfaqësuesin e tij ligjor për një kontratë të re. Në aktivitetin e tij si dramaturgu Odise Plaku është një nga autorët e mirënjohur në vend, ku veprat e tij janë vënë në skena brenda dhe jashtë vendit, si dhe janë shfaqur në festivale të ndryshme të teatrit, ku dhe janë vlerësuar me çmime. Por shqetësimi i dramaturgut Odise Plaku për zbatimin e të drejtës së autorit është në vijim dhe të krijuesve të tjerë më parë, si në fushën e muzikës, kinematografisë, etj. E drejta e autorit vazhdon të jetë një nga problematikat me të cilat përballen autorë të ndryshëm në vend, ndërsa dhe zbatimi i ligjit jo pak herë ka sjellë diskutime.
-Për teatrin, si funksionon e drejta autorit me veprat shqiptare që vihen në skena, çfarë të drejtash ruan autori që e ka shkruar?
Në teatër, e drejta e autorit mbetet një element thelbësor dhe i mbrojtur nga ligji. Autori i një teksti dramatik ruan të gjitha të drejtat morale dhe pasurore mbi veprën e tij. Kjo do të thotë se askush nuk mund ta vendosë në skenë pa lejen e tij, dhe për çdo përdorim ai duhet të marrë shpërblimin përkatës. Të drejtat morale kanë të bëjnë me faktin që autori duhet të njihet gjithmonë si krijues i veprës, nuk mund të ndryshohet teksti pa pëlqimin e tij dhe emri i tij duhet të përmendet në çdo afishe apo material promovues. Ndërsa të drejtat pasurore lidhen me pagesat për përdorimin e tekstit, sipas marrëveshjes me teatrin ose me agjencitë që menaxhojnë të drejtat e autorit. Pra, edhe pse një vepër vihet në skenë nga një trupë teatrore, autori vazhdon të mbetet pronari ligjor i saj.
– Më herët ju jeni shprehur se kur kontrata për përdorimin e një vepre mbaron, nuk mund të përdoret pa lejen e autorit. Çfarë ndiqet nëse një vepër duhet të rikthehet në skenën teatrore për publikun?
Ka qenë një shprehje fare rastësore pas leximit të një shkrimi në gazetën “Sot” në lidhje me të drejtën e autorit në lëmin e muzikës dhe vetvetiu më erdhi në mendje pyetja: Po për veprat skenike çfarë duhet bërë? Sepse asnjë vepër skenike nuk mund të konsiderohet si mall pa zot dhe gjithkush të bëjë çfarë të dojë me të. Kur një kontratë për përdorimin e një vepre përfundon, çdo shfaqje e mëtejshme pa lejen e autorit konsiderohet shkelje e të drejtave të tij. Nëse një teatër apo trupë dëshiron ta rikthejë një tekst në skenë, duhet të negociojë sërish me autorin ose me përfaqësuesin e tij ligjor për një kontratë të re. Ky është një proces normal: përcaktohen kushtet e reja, numri i shfaqjeve, shpërblimi që i takon autorit dhe mënyra se si do të përdoret teksti. Në thelb, çdo rikthim në skenë është një përdorim i ri i veprës, prandaj duhet domosdoshmërisht marrëveshja e autorit. Vetëm nëse autori ka dhënë një licencë më afatgjatë ose një marrëveshje të përgjithshme, atëherë mund të vazhdohet pa një kontratë të re specifike. Ajo që unë e cilësoj si shqetësuese është fakti që regjisorët aspo dhe aktorët e cilësojnë si pronë të tyre një vepër dhe mund të kenë të drejta përdormi të saj, pa shkuar në një kontakt njerëzor me autorin.
-Nëse flasim për përdorim të paligjshëm të një vepre shqiptare, sa dëmton kjo autorin e saj?
Përdorimi i paligjshëm i një vepre shqiptare ka pasoja të shumta për autorin. Së pari, ai humb të ardhurat që do të merrte nga shfaqja e ligjshme e veprës, sepse askush nuk e paguan për përdorimin e saj. Së dyti, humbet kontrollin mbi mënyrën se si interpretohet ose ndryshohet teksti i tij; për shembull, ndryshimet që nuk i pëlqejnë ose një interpretim që nuk i përfaqëson veprën siç e ka menduar. Në thelb, çdo përdorim pa leje është si një humbje e dyfishtë: financiarisht dhe artistikisht. Për autorin, kjo mund të ndikojë edhe në mundësitë për shfaqje të tjera të veprës në të ardhmen, sepse përdorimi i paautorizuar mund të çojë në keqkuptime ose humbje të vlerës së veprës. Të kërkosh një të drejtë për punën tënde nuk duhet marrë apo konsideruar si një masë drastike ndaj vënies së mëtejshme në skenë të veprës. Përkundrazi, apo do të zyrtarizojë, por edhe rrisë shkallën e përgjegjësisë për prezantimin e mëtejshëm të kësaj vepre.
-Në dijeninë tuaj a ka pasur raste në teatër, që e drejta e autorit me veprat shqiptare nuk është zbatuar?
Nuk mund të flasë për të tjerë, por flas për veten time si dramaturg kur vepra më është marrë me mirëbesim, është vënë në skenë, janë siguruar të ardhura financiare dhe unë jam përballur me përgjigjen: “Tani nuk kemi më lekë”. Për të mos prishur reputacionit e regjisorit jam tërhequr në heshtje për të vlerësuar në të ardhmen më mirë punën time si autor. Për fat të mirë, në vitet e fundit ka pasur një ndërgjegjësim më të madh mbi të drejtat e autorëve dhe shumë institucione po përpiqen t’i respektojnë ato më rigorozisht. Është fakt që në çdo projekt kërkohet deklarata e autorit, si dhe përcaktohen kushtet e bashkëpunimit në nënshkrime të aktmarrëveshjeve.
-Duke qenë se dhe më parë krijues të ndryshëm në fushën e muzikës, etj, kanë shprehur probleme për të drejtën e autorit në vend, kanë kërkuar zbatimin e ligjit, për ju çfarë duhet përmirësuar që të ketë zbatim të së drejtës në krijimtari?
Për të siguruar respektimin e të drejtave të autorit në krijimtari, ka disa gjëra që duhet përmirësuar. Në radhë të parë duhet filluar me krijuesit që të dinë se cili është kuadri ligjor mbi të drejtat e tyre, si dhe mbi procedurat për të marrë leje dhe shpërblime. Së dyti, është e nevojshme të forcohet zbatimi i ligjit, me kontrolle dhe mekanizma të qartë që të parandalojnë shfaqjet ose përdorimet pa leje. Shpesh herë organizohen festivale dhe organizatorëve nuk interesohen apo të dinë a ka një mbrojtje ligjore kjo vepër që është pjesë e repertorit të tyre artistik? Mendoj se respektimi i autorit nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe kulturore, duhet të ndërtohet një vetëdije dhe kultura e respektimit të krijimtarisë dhe punës së autorit në të gjitha fushat artistike, qoftë teatër, muzikë apo letërsi.
Intervistoi: Julia Vrapi
