“Skampa” edicioni i 27-të, festivali i stileve dhe formave të reja teatrore me performanca nga vende të ndryshme të…

Nga Julia Vrapi
Shfaqje teatrore nga trupa artistike shqiptare dhe të huaja në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa”. Një festival i stileve dhe formave të reja teatrore sjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Jo vetëm shfaqje teatrore, por edhe aktivitete të ndryshme do të zhvillohen në ditët e festivalit “Skampa 2025” që nisi në qytetin e Elbasanit  këtë vit edicionin e 27-të tij.  Regjisori i njohur Adonis Filipi, themelues dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar  “Skampa” shprehet për synimet e këtij festivali që nisi në Elbasan, e këtë vit sjell 11 shfaqje për publikun.
Sipas tij ky edicion i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa” mban titullin “Extension” (Zgjerim/Shtrirje), si një ftesë për të zgjeruar kufijtë tanë të të menduarit, të ndjenjës dhe të përjetimit të artit. “Vlerësimi për të bukurën në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia se arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimi i këtij festivali: për të na lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mirëpritur ndryshimin. Kohë e teatrit…”, shprehet Adonis Filipi, drejtor i festivalit. Më parë nga organizatorët e festivalit u zhvillua dhe një konferencë për mediat për edicionin e këtij viti, programin artistik të tij, etj.
Nga data 2 – 6 tetor do të ngjiten në skenën e festivalit 11 shfaqje teatrore në qytetin e Elbasanit, por edhe në Tiranë, nga nëntë  trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave: trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Sa i takon aktiviteteve të tjera në festival do të vijojnë dhe workshop-et, ekspozitat fotografike dhe promovimet e librave. Festivali “Skampa 2025” zhvillohet nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë së Elbasanit dhe bashkëpunimin e Qendrës së Artit Elbasan, Ambasadës Greke në Shqipëri, Institutit të Kulturës turke “Yunus Emre Enstitüsü” – Tiranë, Universitetit të Arteve, teatri “Metropol” -Qendra Kulturore Tirana, etj.
Dita e parë shfaqje nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit
Festivali në ditën e parë të tij në program përmbante shfaqjen për fëmijë “Cikli i jetës” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë, si dhe “Medea-Material” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit.  Shfaqja për të rritur “Medea-Material” ndërthur mitologjinë dhe historinë, kujtimet dhe ëndrrat. Heiner Müller, i njohur për bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Brecht dhe Robert Wilson, ka frymëzuar krijues të disiplinave të ndryshme dhe konsiderohet si një figurë udhëheqëse e teatrit avangardë postmodern, si në Gjermani ashtu edhe në mbarë botën. Më herët në materialin për shfaqjen nga festivali bëhej me dije se pjesa e tij e vitit 1982 “Medea-Material” është vënë në skenë në turqisht për herë të parë përmes një bashkëpunimi midis Teatrit Shtetëror të Ankarasë dhe atij të Stambollit. Në vijim programi artistik i festivalit vijon sot me të tjera shfaqje, që do të jenë në ambiente të hapura apo dhe në skenën e teatrit të Elbasanit. Festivali ndërkombëtar “Skampa” çdo vit është dhe një prej ngjarjeve artistike të rëndësishme për teatrin që zhvillohen në këtë qytet, duke sjellë për publikun  trupa artistike teatrore të huaja dhe shqiptare me shfaqjet e tyre.