Policia britanike deklaroi se mund të ketë qëlluar aksidentalisht dy nga viktimat, përfshirë një që humbi jetën, ndërsa oficerët iu përgjigjën të enjten sulmit në një sinagogë në Mançester, kur dhjetëra besimtarët ishin mbledhur për ditën më të rëndësishme të kalendarit hebraik, festën e Yon Kippurit.
Shefi i Policisë Stephen Watson tha se ekspertët kishin përcaktuar paraprakisht se një nga personat që u vra duket se ka marrë një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa bëri me dije se sulmuesi nuk kishte armë zjarri me vete dhe të vetmet të shtëna ishin nga oficerë të autorizuar për të përdorur armë zjarri. “Kjo tregon se ajo plagë mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga veprimet e shpejta dhe të domosdoshme të oficerëve për të ndalur sulmin e dhunshëm”, tha Watson.
Ai shtoi se personi i dytë që u plagos nga të shtënat me armë zjarri, nuk ishte në rrezik për jetën. Këto deklarata erdhën ndërsa kryeministri Keir Starmer vizitoi vendin, ku një ditë më parë policia qëlloi për vdekje sulmuesin, të quajtur Jihad al-Shamie, një shtetas britanik me prejardhje siriane, pak minuta pasi iu përgjigj thirrjeve se një makinë ishte përplasur me njerëzit dhe një roje sigurie ishte goditur me thikë. Ndërkohë zv.kryeministri britanik David Lammy u prit me kritika të ashpra në një ceremoni përkujtimore për viktimat e sulmit në Mançester.
Sulmi ndaj sinagogës në Manchester – Dy nga viktimat dyshohet se u qëlluan aksidentalisht nga policia britanike
