“Vijë e kuqe për karriget e lokaleve”, Rama: T’i shkojmë deri në fund çmontimeve, më pas hyn në fuqi rregullorja

Kreu i qeversië, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar një konferecë për mediat së bashku me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Në fokus janë masat e marra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit si edhe ndëshkimin e ndërtimtarisë së paligjshme.
Gjatë fjalës së tij,  Rama u ndal edhe te aksioni i ndërmarrë gjatë muajve të fundit për lirimin e hapësirave publike. Por edhe pse shumë lokale kanë hequr tendat, karriget vijojnë të qëndrojnë në trotuar.

Rama thekson se kjo situatë do të trajtohet përmes një rregulloreje të përgjithshme që përcakton “vijat e kuqe” për vendosjen e karrigeve.
Edi Rama: E dëgjoj vazhdimisht këtë të karrigeve. Kjo është një luftë e përditshme. Disiplinimi i karrigeve do të bëhet me rregullore. Kemi punuar për një rregullore të përgjithshme  dhe pastaj do të hyhet edhe në këtë pikë. Edhe për karriget çështje interpretimi është. Pasi të vendosen vijat e kuqe, që deri këtu mund t’i shtrish karriget, në momentin që ti shtyhesh dhe kalon vijën e kuqe, zënie arbitrare e hapësirës publike është. Ky është proces, rëndësi ka t’i shkojmë deri në fund çmontimeve që paskan qenë të pafundme.