Rregullat e reja të udhëtimit në BE hyjnë në fuqi javën e ardhshme, ja çfarë duhet të dini

Në fund të javës së ardhshme, qytetarët që nuk janë pjesë e vendeve të BE-së, do të duhet të skanojnë pasaportën e tyre, të japin gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohen për të hyrë në shumicën e vendeve evropiane.
Skema e re e hyrje-daljeve e BE-së, e njohur si EES, po prezantohet për të zëvendësuar vulosjen e pasaportave për të gjithë qytetarët jo pjesë e BE-së. Rregullat e reja do të zbatohen në zonën Shengen, e cila përfshin 29 vende, por jo Irlandën ose Qipron. Vendet e BE-së do të fillojnë të prezantojnë Sistemin EES për shtetasit jo të BE-së që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër.
Kjo procedurë e re do t’u kërkojë vizitorëve të regjistrohen në kufi duke skanuar pasaportën e tyre dhe duke kryer “kontrolle biometrike”, pra, duke dhënë gjurmët e gishtërinjve dhe duke u fotografuar. Kjo zakonisht do të bëhet në një kioskë automatike ose nga një oficer kufitar. Pasi ta keni përfunduar këtë proces regjistrimi në një vend, do t’ju duhet vetëm të skanoni pasaportën tuaj dhe të jepni gjurmët e gishtërinjve ose një fotografi për të hyrë ose dalë nga ndonjë nga vendet e listuara. Fëmijëve nën 12 vjeç nuk do t’u merren gjurmët e gishtërinjve, por do të fotografohen sipas rregullave të reja.
Çfarë ndodh me të dhënat tuaja?
Komisioni Evropian thotë se të dhënat që mblidhen kur përdorni EES janë:
Informacioni i listuar në dokumentin/dokumentet tuaja të udhëtimit (p.sh. emri i plotë, data e lindjes, etj.)
Data dhe vendi i çdo hyrjeje dhe daljeje
Imazhi i fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve
Nëse ju është refuzuar hyrja
Këto të dhëna do të ruhen në sistem dhe nuk mund të transferohen te palët e treta, përveç rasteve specifike. Të dhënat tuaja do të përdoren nga vendet për disa arsye, duke përfshirë identifikimin e udhëtarëve që nuk lejohen të hyjnë, gjetjen e atyre që përdorin identitete të rreme dhe ndihmën në parandalimin dhe hetimin e krimeve të rënda. Nëse refuzoni të jepni të dhënat tuaja biometrike, do t’ju refuzohet hyrja.