Gazeta italiane, La Repubblica, ka ndarë pamje nga momenti në Danimarkë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku Kryeministri Edi Rama tall Presidentin amerikan, Donald Trump. La Repubblica shkruan Rama bëri shaka me Presidentin francez Emmanuel Macron, duke u tallur me gafën e Trump të 18 shtatorit, mbi armëpushimin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Rama bën shaka për Trumpin me Macronin: “Shqipëria dhe Azerbajxhani bënë paqe, dhe ju nuk na falënderoni.”
Rama i tha Macron-it në prani të Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev: “Na detyrohesh të kërkosh falje. Nuk na përgëzove që i dhamë fund konfliktit për të cilin Presidenti Trump punoi kaq shumë për ta përfunduar.”
Trump gjatë një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer, deklaroi se i kishte dhënë fund luftës midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, por bëri një gabim të qartë gjeografik. Trump, duke theksuar rolin e tij si ndërmjetës ndërkombëtar, e kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, vendin me të cilin Azerbajxhani në fakt kishte një konflikt.
