Rigels Seliman
Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka lëshuar një tjetër goditje të fortë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, aktivistja Kokalari zbërthen skemën korruptive të listave të mbyllura, të cilat i quan një akt tradhtie ndaj sovranit. Ajo thekson se Berisha, si autor dhe garant i kësaj formule, bëri pazare politike duke u siguruar që Parlamenti të mbushej me deputetë të nënshtruar e pa votë. Sipas saj, kjo manovër e ktheu institucionin më të lartë të vendit në një “teatër kukullash” ku vendimet merren larg vullnetit të qytetarëve. Madje Kokalari paralajmëron se kjo e shënoi momentin më të errët të demokracisë shqiptare, duke i dhënë goditjen finale besimit të publikut te politika.
“Tridhjetë përqind (30%) e deputetëve në parlamentin Shqiptar, janë aty pa asnjë meritokraci dhe pa asnjë votë, por nëpërmjet listave të mbyllura që është një nga aktet më korruptive të çdo demokracie, dhe me pafytyrësinë e Berishës, Ramës dhe Metës, e galvanizuan nga akt korrupsioni ne ligj! Dhe pikërisht, të gjithë atyre që pranuan të jenë në lisitat e mbyllura ju them: çdo mëngjes, kur shkoni në atë institucion ku duhet të mbroni dhe të luftoni për të drejtat e qytetarit, me çfarë dinjiteti e bëni sepse qartazi, prezenca juaj është kujtesë e të drejtës themelore që ja keni hequr sovranit – ‘të drejtën të zgjedhin vet se kush duhet ti prezantojë në parlament’?!”, shkruan Kokalari.
Kontrata e Sali Berishës për lobimin në SHBA
Ndërkohë aktivistja Evi Kokalari ka komentuar kontratën prej 6 milionë dollarësh që shteti i Izraelit ka lidhur me një ish-punonjës të fushatës së Donald Trump, me synim luftimin e antisemitizmit mes të rinjve në rrjetet sociale. Sipas saj, kjo është një përpjekje legjitime e një shteti për të mbrojtur qytetarët e vet nga propaganda dhe urrejtja online. Por krahasimi bëhet i pashmangshëm kur përmendet edhe kontrata e kreut të Partisë Demokrartike, Sali Berisha, po prej 6 milionë dollarësh, për të hequr sanksionet ndaj vetes dhe familjarëve të tij.
Kokalari e godet fort ish-kryeministrin, duke e akuzuar se paratë i përdor vetëm për interes personal dhe jo publik. Madje ajo e mbyll reagimin e saj me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj SPAK-ut, duke pyetur nëse drejtësia shqiptare po fle. “Shteti i Izraelit ka lidhur kontratë me një ish-punonjës të kampit të Trump, për 6 milionë dollarë që të luftojë antisemitizmin mes të rinjve në median sociale. E përsëris – ‘Shteti i Izraelit’ ka lidhur kontratë 6 milion dollarë për të luftuar antisemitizmin. Sali Berisha lidhi kontratë 6 milion dollarë për t’i hequr sanksionet vetes dhe fëmijëve…. Nuk di nëse këto situata janë për të qeshur apo për të qarë!!! Por krahasoni këto dy pagesa: njera nga një shtet që do të mbrojë njerëzit e tij nga propaganda gjatë një lufte trevjeçare, dhe tjetra nga dikush që do të mbrojë veten nga akuzat se është i korruptuar. Seriozisht, çfarë bën SPAK? Janë në gjumë apo si?”, nënvizon aktivistja Kokalari.
Berisha ka shkatërruar konservatorizmin në Shqipëri
Nga ana tjetër, Kokalari, ka reaguar edhe disa ditë më parë me tone të ashpra ndaj Berishës, pas deklaratës së këtij të fundit për vrasjen e Charlie Kirk në SHBA. Në një postim në profilin e saj në rrjetin social “X”, Kokalari i kërkon Berishës të mos përdorë emrin e Kirk, duke e akuzuar atë për hipokrizi dhe për një sërë veprimesh politike që, sipas saj, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe kauzën konservatore. Kokalari sjell në vëmendje anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike, akuzat për dhunë në Parlament, lidhjet me George Soros, si edhe një incident të vitit 1997 me ambasadoren amerikane Marisa Lino. Ajo e konsideron Berishën si shkaktar të pengmarrjes së konservatorizmit në Shqipëri dhe i bën thirrje të qëndrojë në heshtje.
“”Rri jashtë kësaj radhe, të lutem, @saliberisha_ Më beso kur them se familjes dhe miqve të Charlie Kirk nuk u duhen ngushëllime nga dikush që përfaqëson gjithçka ndaj së cilës Charlie ishte kundër. Ke mbajtur peng konservatorizmin në Shqipëri për 34 vitet e fundit dhe u përpoqe të minoje atë që unë përfaqësoja kur të erdha në ndihmë në vitin 2021, që ishte lëvizja MAGA. Pate guximin të bësh Shqipërinë anëtare të Konferencës Islamike, duke shpërfillur të parët tanë dhe vlerat e krishtera. Shqipëria do të tërhiqet nga ajo organizatë sapo të bëhem Kryeministër. Ke nxitur dhunë dhe shkatërrim gjatë katër viteve të fundit, duke vënë shpesh zjarr në Parlamentin e Shqipërisë. Ke mashtruar republikanët në SHBA për sanksionet që thua se të ka vendosur George Soros.
Në të vërtetë, ti ishe ai që e ftove personalisht Soros-in në Shqipëri, dhe sot shumë nga bashkëpunëtorët e tu kryesorë mbështeten prej tij, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është zgjedhur nga populli. Sipas truprojave të tu, u ke urdhëruar të sulmonin makinën e ambasadores amerikane Marisa Lino diku në vitin 1997. Ti je një hipokrit që duhet të rrish i heshtur dhe të mos përmendësh kurrë emrin e Charlie Kirk. Për njerëz si ti, Charlie Kirk është si një prift që duhet të kryejë një ekzorcizëm. Individë si ti janë arsyeja pse figura si Charlie Kirk shënjestrohen, dhe ka me dhjetëra tregime në Shqipëri për akte të tilla që i ke kryer, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Prandaj, ulu dhe hesht. Pate një shans për shlyerje në vitin 2021, dhe e humbe”, shprehej Kokalari.
Evi Kokalari zbërthen skemën korruptive të Sali Berishës, ja si kreu i PD bëri pazare me listat e mbyllura dhe e…
