Gazetari Genc Burimi komentoi në një intervistë televizive zhvillimet politike dhe procesin zgjedhor në Tiranë, duke theksuar se data e zgjedhjeve të pjesshme, më 9 nëntor, nuk është e drejtë për standardet ndërkombëtare.
“Unë nuk them që qytetarët të bojkotojnë, por mos ia lini iniciativën Edi Ramës për të vendosur datën. Sot Berisha është në Strasburg dhe askush në Perëndim nuk do e konsideronte skandal që Tirana të qëndronte pa kryebashkiak për disa muaj. Jo bojkot, por një datë e ndershme,” tha Burimi.
Ai vuri theksin te afati i shkurtër i fushatës, duke shpjeguar se standardet ndërkombëtare nuk lejojnë procese elektorale të ngushta. “Në Perëndim do të ishte skandal që qytetarëve të Tiranës t’u jepej vetëm 1 muaj fushatë elektorale. Nuk duhet të bini në kurthin e një fushate të tillë. Ky është momenti për t’u drejtuar tek partnerët ndërkombëtarë dhe për të treguar se nuk ka zgjedhje pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese,” shtoi ai.
Burimi theksoi gjithashtu se opozita duhet të ushtrojë presion mbi partnerët ndërkombëtarë, duke përmendur mekanizmin e shantazhit ndaj Bashkimit Europian dhe komisioneres Marta Kos. “Me dy zgjedhje në pak muaj, opozita mund të krijojë një skandal ndërkombëtar dhe të kërkojë llogari për vendimmarrjen që po negocion në Shqipëri,” deklaroi ai.
‘Zgjedhjet e nëntorit janë kurth’, paralajmëron Burimi: Mund të bëhet skandal, shantazhi ndaj BE-së…
